Të jetosh mes dy kulturave: Ku e kam shtëpinë?
Është një pyetje që shumë prej nesh që jetojmë në diasporë ia bëjmë vetes, ndonjëherë me zë të lartë dhe ndonjëherë vetëm në mendje:
Ku me të vërtetë e kam shtëpinë?
Për disa, përgjigjja është shumë e thjeshtë, por për ata që janë rritur mes dy kulturave, kjo pyetje rrallë e ka vetëm një përgjigje.
Të jetosh mes dy kulturave ndonjëherë duket sikur të jetosh në ajër. Është shumë e thjeshtë se si shpjegohet me teori, dhe shumica e kupton kështu: të flasësh dy gjuhë ose të festosh dy tradita e dy festa. Realisht, të rritesh dhe të jetosh mes dy kulturave është shumë më e komplikuar sesa thjesht t’i njohësh dy gjuhë ose dy tradita.
Do të thotë të formohesh nga dy mënyra të ndryshme për ta kuptuar botën, dy sisteme me vlera të ndryshme dhe dy këndvështrime për jetën. Brenda shtëpisë, rritesh me historinë e familjes, kujtimet e prindërve, gjuhën dhe rrënjët që të lidhin me prejardhjen tënde. Por ne nuk jemi të krijuar të jetojmë vetëm brenda shtëpisë dhe detyrohemi patjetër të përshtatemi jashtë saj, dhe aty mendoj që fillon gjithçka.
Përballja me një kulturë tjetër, me rregulla të tjera shoqërore, mënyra të ndryshme komunikimi dhe një realitet që të formon çdo ditë.
Kur dy bota takohen brenda nesh
Me kalimin e kohës, këto dy bota të pangjashme nuk mbeten të ndara, por ato përzihen brenda teje dhe bëhen pjesë e mënyrës se si e sheh veten dhe botën.
Për shumë vite, kjo mund të duket si një konflikt. Në vendin ku jeton të shohin si “të huaj ose imigrant”, por kur e viziton vendin e origjinës, të thonë “nga jashtë”. Në të dy rastet mbetesh “i paidentifikuar”. Kjo ndjenjë është aq e zakonshme, sa psikologët e kanë studiuar prej dekadash.
Studimet mbi identitetin dykulturor (Bicultural Identity Integration, BII) tregojnë se njerëzit nuk kanë nevojë të zgjedhin vetëm një pjesë të vetes dhe të heqin dorë nga tjetra. Hulumtimet mbi integrimin e identitetit dykulturor tregojnë se personat që i shohin dy kulturat e tyre si të pajtueshme dhe plotësuese, në vend se si kundërshtuese, kanë më shumë mundësi të zhvillojnë një raport më të qëndrueshëm me identitetin e tyre. Kjo mënyrë e integrimit lidhet me aftësi më të mëdha për të parë situatat nga këndvështrime të ndryshme, fleksibilitet në mënyrën e të menduarit dhe zhvillim të mendimit kritik, si dhe një përshtatje më të mirë psikologjike.
Me një fjalë, sfida këtu nuk është t’i kesh dy kultura, por të mësosh t’i bashkëjetosh ato në harmoni.
Sigurisht që kjo nuk është gjithmonë e lehtë.
Ndonjëherë ndihesh sikur duhet të ndryshosh mënyrën se si flet, si sillesh ose si mendon, varësisht se ku ndodhesh. Mund të krijosh presion për të qenë “mjaftueshëm shqiptar” ose “mjaftueshëm” pjesë e vendit ku jeton. Me kalimin e kohës, kjo mund të krijojë lodhje emocionale dhe konfuzion për atë se kush je në të vërtetë.
Por mendoj që ndoshta problemi nuk është se jetojmë mes dy kulturave. Ndoshta problemi është se kemi mësuar ta besojmë se identiteti duhet të jetë vetëm një (dichotomous thinking).
Të ndërtosh një botë të tretë
Identiteti nuk ndërtohet vetëm nga vendi ku lindim, por ndërtohet nga njerëzit që takojmë, gjuhët që flasim, vlerat që zgjedhim dhe përvojat që na formojnë. Dy njerëz të lindur në të njëjtin qytet mund të kenë identitete krejtësisht të ndryshme. Po kështu, dy persona të rritur në vende të ndryshme mund të ndajnë të njëjtat vlera.
Qëllimi i këtij blogu nuk është të vendosë se cila kulturë është më e mirë, përkundrazi, qëllimi është të tregojë se mund të mësojmë nga të dyja kulturat. Njëra mund të na mësojë rëndësinë e familjes dhe komunitetit, e tjetra na mëson pavarësinë, mendimin kritik ose respektin për diversitetin. Nuk kemi pse të zgjedhim vetëm njërën. Mund t’i marrim më të mirat nga të dyjat dhe ta ndërtojmë identitetin tonë mbi vlerat që ne i besojmë.
Në fund, identiteti ynë nuk duhet të përcaktohet nga pasaporta, vendlindja ose etiketat që na vendosin të tjerët. Ato janë pjesë e historisë sonë, por nuk janë e gjithë historia.
Ne jemi ata që e krijojmë veten.
Gjithmonë më ka pëlqyer ta mendoj kështu dhe shpresoj që dikush të mund të mësojë nga kjo dhe të jetojë në paqe me vetën:
“Nëse do të kisha lindur në hënë dhe do të jetoja në diell, ndoshta zgjidhja më e mirë do të ishte të bëhesha yll në galaktikën e ndërtuar pak nga Hëna dhe pak nga Dielli. Në fund do të isha yll në vete.”
Kjo metaforë na kujton se nuk jemi të kufizuar nga koordinatat ku kemi lindur apo nga vendi ku jetojmë. Ne kemi aftësinë të krijojmë një hapësirë të re, ku të dy kulturat bashkëjetojnë dhe ku identiteti nuk është një kompromis, por një krijim.
Ndoshta ky është privilegji i mërgatës.
Jo të jetosh mes dy botëve, por ta ndërtosh edhe një botë të tretë. Një botë ku rrënjët nuk të mbajnë peng, por të japin forcë. Ku përkatësia nuk varet nga një kufi në hartë, por nga vlerat që ti i zgjedh të jetosh çdo ditë.
Sepse shtëpia nuk është gjithmonë një vend. Ndonjëherë, shtëpia është personi që bëhesh.
Burime shkencore: Journal of Personality (Benet-Martínez & Haritatos, 2005) — Bicultural Identity Integration (BII): Components and Psychosocial Antecedents, 73(4), 1015–1049; Journal of Personality and Social Psychology (Tadmor, Galinsky & Maddux, 2012) — Getting the Most Out of Living Abroad: Biculturalism and Integrative Complexity as Key Drivers of Creative and Professional Success, 103(3), 520–542.