Si ndihet vërtetë diaspora shqiptare për verën në Kosovë?
Nuk e di si duket Gjermania gjatë verës. Nuk e kam parë kurrë. Nga dita e parë e pushimeve verore deri në të fundit, isha në Kosovë. Çdo vit. Pa përjashtime.
Miqtë e mi ktheheshin nga Italia, jugu i Francës, kudo qoftë, të relaksuar, me histori dhe foto që dukeshin sikur kartolina.
Unë kthehesha me një valixhe plot ushqim, e djegur nga dielli, dhe e lodhur nga 21 orë rrugë me veturë e shpeshherë edhe e sëmurë nga klima.
I thosha vetës ‘ky vetëm pushim nuk është’.
Shpesh pyesja veten pse po shkojmë? Pse vera ime nuk mund të jetë çdo vit në një vend të ri, plazha të reja, fotografi interesante, përvoja të ndryshme, sikurse ato të shoqërisë time?
Për vite, për mua gjithmonë është i njëjti vend, të njëjtit familjarë, në të njëjtat karrige plastike jashtë në oborr.
Mendoj se tash mund t’i jap përgjigje versionit të vetes që dikur e bënte këtë pyetje.
E kam kuptuar se nuk kishte të bënte me vendin se ku i kalova pushimet
Udhëtimi vjetor në shtëpinë ku familja jote apo ti je rritur, nuk ka të bëjë vërtet me një pushim të zakonshëm, sa ka të bëjë me kthimin te versioni i vetes që ekziston vetëm atje.
Atje ku e flet gjuhën pa u keqkuptuar e pa e përkthyer fillimisht në mendjen tënde e pastaj tek të tjerët.
Atje ku emrin ta shqiptojnë saktë pa asnjë gabim e pa të pyetur dy herë.
Atje ku rilidhesh me versionin e vetës të cilin e kishe harruar.
Pse udhëtimi drejt atdheut është ndryshe nga pushimi?
Këtë lloj udhëtimi, hulumtimet shpesh e quajnë si “udhëtim i rrënjëve”, për fëmijët dhe nipër-mbesa të emigrantëve që kthehen në vendin prej nga kanë ardhur prindërit e tyre.
Ajo që hulumtuesit gjejnë vazhdimisht është se këto udhëtime nuk përjetohen fare si pushim apo turizëm.
Përjetohen më shumë si punë me identitetin.
Vizitorët e gjeneratës së dytë përshkruajnë kthimin jo për të parë pamje e për të vizituar monumente, por për të kuptuar historinë e familjes së tyre, për t’u ndier më pak si të huaj në historinë e vet, dhe për të takuar dy versione të shtëpisë që ndryshe mbeten të ndara gjatë gjithë vitit.
Për shumë njerëz të diasporës shqiptare, kjo është forma e pashprehur e çdo vere. Jo pushim. Diçka më afër mirëmbajtjes. Rilidhjeje me një version të vetes, të cilin e kishe harruar.
Për një kohë të gjatë isha konfuze: miqtë e mi po pushonin, unë po bëja diçka krejt tjetër, diçka pa emër, që në atë kohë ndihej thjesht si detyrim.
Por çfarë ndodhë në realitet?
Askush nuk mund të ja shpjegoj një dhjetëvjeçareje se ka një fjalë për këtë, që mbase pushim nuk është, por është diçka edhe më domethënëse, diçka që sistemi yt nervor ka nevojë për të.
Për më tepër, hulumtimet mbi fëmijët e emigrantëve tregojnë vazhdimisht se lidhja familjare, thjesht të qëndrosh i lidhur ngushtë me familjen e zgjeruar dhe komunitetin, vepron si faktor mbrojtës për shëndetin mendor.
Mbron nga vetmia, rritë vetëbesimin dhe i jep fëmijëve një ndjenjë të qëndrueshme identiteti, edhe kur bota rreth tyre vazhdon të ndryshojë.
Koha që kalojmë me familjarët gjatë verës ndihmon në ballafaqimin e sfidave dhe ndjenjën e përjashtimit nga shoqëria apo rrethi, që fëmijët në mërgatë shpesh i mbajnë në heshtje gjatë gjithë vitit.
Në praktikë, kjo mbështetje rrallëherë emërtohet si e tillë. Por ajo ekziston, dhe duket kështu:
Duket si minutat e numëruara dhe orën e shikuar me padurim, deri në telefonatën “zbrita.”
Duket si përqafimi i nanës dhe era e ushqimit që të pret para se të hapësh derën.
Duket si pesëmbëdhjetë kushërinj që shfaqen pa ftesë, dhe të mirëpritur gjithsesi.
Duket si të të thonë “laj duart, se buka është gati”, para se të të kenë thënë edhe mirëmbrëma.
Asgjë nga kjo nuk shfaqet në një broshurë pushimesh, por bën diçka që një plazh në jug të Francës nuk mund ta bëjë kurrë:
i thotë një fëmije, çdo verë, se ekziston një vend në këtë botë ku të njohin, të duan, dhe të presin me padurim.
Ndjenja kur kthehesh
Por ka edhe një ndjenjë tjetër që askush nuk e flet shumë, dhe që shumica e mbajnë për vete.
Një lloj mpirjeje që të vjen pas kthimit. Jo menjëherë, por ngadalë, ndërsa zbret nga avioni dhe sheh sërish ato tabela në gjuhën që mbase e kupton, por që nuk e ndjen si tënden.
Ndërsa merr çantat dhe del jashtë. Ndërsa fillon të rregullosh valixhen dhe jeta rifillon saktësisht aty ku kishte ngelur, puna, rutina, plani i javës.
Dhe ti je sërish këtu. Në vendin ku jeton. Në vendin ku ndoshta është e ardhmja jote.
Por diçka ndihet bosh. Diçka e heshtur, e rëndë, pa emër.
Sepse diku gjatë atij udhëtimi, pa vendosur vërtet se ku, kuptove se shtëpia, ajo që të figuron në dokumentet e tua, ajo ku kthehesh çdo gusht dhe e braktis çdo vit, nuk është e njëjta me shtëpinë për të cilën të pushon shpirti yt.
Kjo është një nga gjërat më të heshtura dhe më konfuze të rritjes në diasporë: të jetosh midis dy vendeve që të dyja janë reale, që të dyja mbajnë pjesë të tua, por asnjëra nuk të mban të tërë.
Mpirja pas kthimit nuk është dobësi. Është ndjenja e të dashurit diçka që nuk mund ta kesh gjithmonë, por që di se ekziston, dhe se do të kthehesh.
Për shumë individ në diasporë, kjo ndjenjë qëndron pikërisht nën sipërfaqe të jetës së përditshme. E pashprehur. E paemërtuar. Dhe më e rëndë nga sa duhet të jetë.
Nëse kjo të duket e njohur, ose nëse po bëhet më e rëndë nga sa e mendon, Mendje është hapësira ku mund ta thuash me zë. Me dikë që e kupton jo vetëm gjuhën, por edhe ndjenjën.
Ky artikull është vetëm për qëllime informative dhe nuk zëvendëson mbështetjen profesionale psikologjike.
Gati për të filluar? Shkarko aplikacionin Mendje dhe lidhu me një psikolog të licencuar që të kupton.