Baby Blues – gjendja emocionale e një gruaje pas lindjes
Mërzitja (dëshpërimi) pas lindjes (baby blues) është një grup manifestimesh mjaft të shpeshta pas lindjes si pasojë e ndryshimeve madhore hormonale e fizike tek gruaja, që konsiderohen normale.
Lindja e një fëmije përshkruhet si ndjenja më e mirë që gratë kanë përjetuar dhe një gëzim i pamatshëm, por kjo përcillet me një spektër të gjerë emocionesh nga më të zakonshmet si dashuri e entuziazëm, por jo rrallë edhe lodhje, pasiguri, mërzitje e madje edhe lot pa ndonjë arsye. Paraqitja e këtyre emocioneve, një formë e lehtë dhe e kufizuar e depresionit, befason nënat e reja në kohën kur ato po presin të përjetojnë periudhën më të lumtur të jetës. Në fakt, ajo çfarë po kalojnë është një gjë shumë e zakonshme që do të shtjellojmë dhe njihet si baby blues (mërzitja apo trishtimi pas lindjes).
A është kjo gjendje normale?
Hulumtimet tregojnë se baby blues prekin mesatarisht 40% të grave, por arrin deri në 75% të grave pas lindjes dhe fillon të shfaqet brenda ditëve me një shprehje më të theksuar rreth ditës së pestë pas lindjes. Fatmirësisht ky fenomen është i limituar dhe simptomat normalisht shuhen rreth fundit të javës së dytë pas lindjes. Nëna e re gjatë këtyre ditëve përballet me emocione të brendshme që i përshkruan si ndjesi të brengës së madhe, të ndërlidhura kryesisht me kujdesin për foshnjën, si dhe labilitet (luhatje) të theksuara të emocioneve nga ato pozitive deri tek më negativet. Gjithashtu, ato kanë një prag më të ulët të irritimit e si pasojë e saj tejreagojnë ndaj stimujve minimalë nga jashtë. Në përgjithësi, ato ndihen sikur janë të mbingarkuara në anën emocionale.
Hormonet, fajtori kryesor
Ndryshimi dhe luhatja që ndodh në nivelin e hormoneve pas lindjes konsiderohet si faktori kryesor në shfaqjen e këtij disbalanci tek gratë. Edhe pse nuk ka një teori të vërtetuar si të vetme, kombinimi i rënies së progesteronit, niveleve të ulëta të estrogjenit dhe variacionit në nivelet e prolaktinës luajnë një rol kyç në këtë gjendje, por jo të vetmit, pasi ka edhe hormone të tjera që mendohet se janë kofaktorë.
Por hormonet nuk e shpjegojnë plotësisht këtë gjendje dhe nuk japin efekt si të vetme. Historia personale ose familjare me çrregullime të disponimit, ngjarjet stresuese të jetës, higjiena e dobët e gjumit dhe, me shumë rëndësi, (mos)mbështetja sociale ose familjare janë pjesa tjetër e faktorëve shumë të rëndësishëm që ndikojnë në paraqitjen apo jo të baby blues.
Për baby blues duhet të dinë të gjitha lehonat
Edhe pse kjo është një gjendje e limituar që largohet zakonisht pas 14 ditësh, prevalenca e lartë dhe rreziku që kjo të progresojë më vonë në depresion pas lindjes e bëjnë një temë shumë të rëndësishme për popullatën e cakut. Gratë pas lindjes, por edhe familjarët e rrethi social i tyre, duhet të jenë të informuar për këtë dhe të dinë çfarë mund të bëjnë për të përmirësuar gjendjen e gruas dhe çfarë të evitojnë.
Së pari duhet të kujtojmë se kjo është një gjendje e brendshme e varur nga disbalanci hormonal. Nëse një grua ndien mërzitje, kjo asesi nuk do të thotë se ajo nuk ka dashuri për të porsalindurin. Në fakt, lidhja nënë-fëmijë e ditëve të para pas lindjes koekziston me mërzitjen, ankthin dhe pasigurinë që ndien nëna. Për këtë lidhje ka rëndësi kohëzgjatja, e për më tepër kontakti dhe llojet e bashkëveprimeve nënë-foshnje (gjidhënia, pastrimi, përqafimi etj.). Një tjetër mesazh që duhet kujtuar është se, sikur tek gjendjet e tjera emocionale, kjo nuk të bën grua të dobët. E thënë ndryshe, nuk ka karaktere të grave që janë imune nga baby blues. Mund të paraqitet tek kushdo, pa marrë parasysh çfarë ka sprovuar jeta, çfarë shkollimi ka kryer e madje as nëse është lindja e parë apo lindjet e tjera pasuese.
Çfarë ndihmon / Çfarë mund të bëjmë?
Të gjitha studimet na shtyjnë drejt identifikimit të hershëm dhe mbështetjes pas lindjes. Kujdesi për baby blues, si edhe për depresionin pas lindjes, preferohet të fillojë gjatë shtatzënisë. Në atë kohë mund të identifikohen faktorët që rrisin rrezikun (ankthi ose depresioni preekzistues, depresioni pas lindjes i mëparshëm, çrregullime të tjera psiqike), situatat me mbështetje të paktë në shoqëri, problemet financiare apo problemet në çift. Pastaj janë faktorët e paparashikuar si komplikimet e lindjes, gjendja e porsalindurit apo e vetë nënës. Nëse gjeni veten në cilëndo nga këto, gjëja e parë që duhet të bëni është të bisedoni me mjekun tuaj për të pasur një plan veprimi pas lindjes.
Partneri, mbështetja kryesore dhe më e shpeshta
Mirëqenia e shëndetit mendor nuk kufizohet vetëm tek gratë që preken nga baby blues, por tek e gjithë popullata. Andaj, partneri mund të ndihmojë jashtëzakonisht shumë, si me mbështetje me fjalë duke ia kujtuar se gjendje të tilla janë normale, se gruaja mundet dhe do të jetë një nënë e mirë, dhe se brengat është gjithmonë më mirë të ndahen me partnerin. Natyrisht, kryerja e veprimeve është e pazëvendësueshme: shoqërimi në vizita, ndërrimi i netëve për kujdes të foshnjës dhe, me shumë rëndësi për shoqërinë tonë, menaxhimi i mysafirëve.
Nëse keni gjetur veten në çfarë u tha më lart ose njihni dikë që po kalon apo mund të kalojë këto përjetime, mbani mend se baby blues nuk e përkufizojnë nënën, janë kalimtare dhe ka çfarë mund të bëjmë për to. Ajo çfarë ka shumë rëndësi është që këto gra të mos mbeten vetëm, të flasin me partnerin, me rrethin e tyre, me mjekun apo me psikologun.
Kujdesi për shëndetin mendor në ditët e para pas lindjes është një nga mënyrat më të mira për t’u kujdesur për foshnjën.