Kush je në të vërtetë, kur askush nuk të shikon?
E merr telefonin në dorë edhe papritmas ndihesh prapa. Dikush u promovua. Dikush duket se po kalon në fazën më të mirë të jetës. Dikush duket se e ka gjetur saktësisht llojin e jetës që ti ke menduar se e doje — e ul telefonin dhe më nuk ndihesh mirë.
Ky shqetësim ia vlen të merret parasysh. Sepse shumë nga ato që besojmë për veten — çfarë meritojmë, çfarë duhet të duam, nëse jemi të mjaftueshëm — të gjitha këto nuk vijnë nga brenda. Vijnë nëpërmjet njerëzve rreth nesh, komuniteteve të cilave u përkasim dhe hapësirave dixhitale ku kalojmë orë të tëra çdo ditë.
Psikologët e kanë një emër për këtë: teoria e identitetit social. Ajo përshkruan se mënyra si e shohim veten nuk ndërtohet nga kush jemi si individë, por nga grupet të cilave u përkasim. Komunitetet mbajnë norma dhe rregulla të pashprehura për mënyrën se si anëtarët e tyre duhet të mendojnë, të ndjejnë dhe të jetojnë. Dhe ne i thithim ato rregulla, shpesh pa e vënë re fare.
Si duket kjo
Rrallëherë ndihet si ndikim i jashtëm; ndihet thjesht si të menduarit që ka ardhur nga ti.
Ndoshta je rritur në një mjedis ku pushimi konsiderohej si përtaci, dhe tani ndihesh fajtor sa herë ngadalëson, edhe pse e di që nuk është ashtu.
Ndoshta ke shkuar të jetosh në një vend të ri dhe ke filluar të matësh vlerën tënde me standarde krejtësisht të ndryshme nga ato me të cilat u rrite. Asnjëra nga këto vlera nuk është më e vlefshme se tjetra, por njëra papritmas ndihet si e vetmja që ka kuptim.
Ndoshta ndjek persona të caktuar në llogaritë online dhe ngadalë fillon të ndihesh sikur trupi yt, shtëpia jote, marrëdhënia jote, karriera jote — asnjëra nuk është e mjaftueshme.
Kur nuk kemi një sens të qartë të brendshëm të asaj që vlerësojmë ose se kush jemi, kthehemi automatikisht nga jashtë dhe e masim veten kundrejt grupit. Dhe sa më pak të rrënjosur ndihemi në vetvete, aq më të ekspozuar jemi ndaj ambientit dhe mënyrave të të menduarit.
Pse godet më fort në diasporë
Për ata që jetojnë ndërmjet dy kulturave, kjo bëhet edhe më e theksuar. Pritet me e ruajt vendin prej nga vjen, por edhe me u bo pjesë e vendit ku jeton tash. E shpesh, këto dy botë përplasen mes vete.
Psikologët thonë se njerëzit që nuk e kanë eksploruar identitetin e tyre kanë më shumë gjasa të mbajnë besime për veten që u janë dhënë nga të tjerët, dhe jo nëpërmjet reflektimit personal. Nëse pyetja “kush jam unë jashtë asaj që pritet prej meje” nuk bëhet kurrë, diçka tjetër e mbush atë hapësirë.
Një identitet kulturor i shëndoshë e mbron vërtet shëndetin mendor. Por ka një ndryshim të madh midis zgjedhjes që ti t’i përkasësh një komuniteti dhe asaj kur ai komunitet fillon ta rishkruajë në heshtje se si e sheh ti veten.
Çfarë ndihmon vërtet
Puna për të rikuperuar mendimin tënd është e qetë dhe graduale. Disa gjëra që hulumtimet i konfirmojnë vazhdimisht:
Bëj pauzë para se të gjykosh. Para se të pranosh një mendim për veten si të vërtetë, pyet veten nga ka ardhur. Qasjet e bazuara në vëmendje të ndërgjegjshme, të mbështetura nga dekada hulumtimesh, fokusohen pikërisht në këtë: të krijosh hapësirë midis asaj që ndjen dhe asaj që konkludon për veten.
Qartëso çfarë vlerëson vërtet. Terapia e Pranimit dhe Angazhimit bën një pyetje të thjeshtë, por të thellë: kush je kur askush nuk ka nevojë për asgjë prej teje? Journaling-u ose një bisedë me një profesionist mund të ndihmojë të kuptosh ndryshimin midis presionit të thithur nga jashtë dhe asaj që është vërtet e jotja.
Kalo kohë në vetmi, me qëllim. Jo si shmangje, por si mënyrë për të dëgjuar sërish zërin tënd. Hulumtimet tregojnë që koha me veten na ndihmon ta kuptojmë më qartë kush jemi.
Të gjesh rrugën e kthimit
Ka një ndryshim real midis një mendimi të cilit i ke arritur nëpërmjet përvojës dhe dëgjimit të sinqertë të vetes, dhe njërit që e ke përvetësuar pa e kuptuar fare. I pari të takon ty.
Nëse vëren që zërat e të tjerëve kanë filluar ta shuajnë zërin tënd të brendshëm, dhe se nuk e mban në mend herën e fundit kur ke pasur një mendim apo kohë për veten — kjo duhet të merret seriozisht.
Nëse dëshiron mbështetje në këtë rrugëtim, përmes Mendje mund të lidhesh me psikologë të licencuar që punojnë në shqip dhe kuptojnë realitetin e diasporës shqiptare. Mbështetje profesionale psikologjike, në gjuhën tënde, kudo që je.
Mendimet e tua meritojnë të rigjenden.
Burime shkencore: Brooks/Cole (Tajfel & Turner, 1979) — An Integrative Theory of Intergroup Conflict; Human Relations (Festinger, 1954) — A Theory of Social Comparison Processes; Journal of Adolescent Research (Phinney, 1992) — The Multigroup Ethnic Identity Measure; Guilford Press (Hayes, Strosahl & Wilson, 1999) — Acceptance and Commitment Therapy; Delacorte Press (Kabat-Zinn, 1990) — Full Catastrophe Living.