Kalo te përmbajtja
Jeta në Diasporë: Vetmia & Identiteti

Si të kujdesesh për veten këtë verë?

Andrra Kelmendi
Andrra Kelmendi Hulumtuese Shkencore
| | 5 min lexim

E presim gjithë vitin një pushim të veçantë. Një ndjenjë: me shku në vendlindjën tonë.

Ditë më të gjata, pushime, ndoshta një udhëtim për me pa familjën, takime me kushërinj që nuk i ke pa me vite. Tingëllon si sezoni më i lehtë i vitit. Por nëse ke pasur ndonjëherë një pushim veror që ka qenë më shumë lodhës se sa pushim, nuk je i/e vetmja.

Vera duhet të ndihet e lehtë. Por për shumë njerëz të diasporës shqiptare, mund të jetë diçka që rëndon dhe që bjen një presion të heshtur. Është sezoni i “duhet”, që vjen me një bindje që duhet ta shijosh çdo moment sepse “ke pritë gjithë vitin për këtë.” Udhëtimet e gjata me makinë dhe aeroplan, jeta mes dy kulturave, dhe scrolling në rrjetet sociale që fusin në pah krahasimet me të tjerët, kanë shumë ndikim. Nuk është çudi pse kaq shumë prej nesh kthehen nga pushimet me nevojë për pushime.

Ja e vërteta: pushimi nuk është diçka që duhet me e fitu, është një e drejtë e jotja që të kujdesesh për veten, sidomos në një sezon ku presioni se duhesh të jesh duke kalu kohën më të mirë të jetës, është shumë i dukshëm.

Pse vera mund të të rëndojë më shumë se ç’duhet?

Disa arsye pse ky sezon na lodhë:

Agjenda e mbushur. Dasma, vizita te farefisi, etj. Kalendari i verës mbushet shpejt, shpesh pa lënë hapësirë me bo thjesht asgjë për veten.

Presioni financiar. Bileta, dhurata, ngjarje familjare. Shpenzimet shtohen, dhe stresi “me u dukë mirë” shpesh fshihet pas çdo buzëqeshjeje.

Krahasimi social. Gjithkush duket sikur e ka verën perfekte. Dikush në det, dikush në festival, dikush në një udhëtim që duket si një film, dhe kështu, dalëngadalë, fillon vera jote të duket sikur nuk po e kalon ashtu si duhet. E krahason verën tënde me verën “perfekte” të dikujt tjetër, por mbase ajo që sheh nuk është me të vërtetë reale. Një studim zbuloi se personat që bënë vetëm një javë pushim nga rrjetet sociale u ndjenë shumë më të lumtur dhe më të kënaqur me jetën e tyre, jo sepse jeta e tyre u ndryshua, por sepse ndaluan së krahasuari me të tjerët.

Ndryshimi i rutinës. Gjumi, lëvizja, ushqimi i shëndetshëm dhe terapia janë disa gjëra që i kemi në rutinë. Hulumtimet tregojnë se edhe një ndërprerje e shkurtër e gjumit ka efekte negative në disponim dhe rregullimin emocional. Strukturat e vogla që i ndërtojmë rreth vetes kanë më shumë rëndësi se ç’mendojmë.

Asgjë nga këto nuk do të thotë se diçka nuk është në rregull me ty. Do të thotë se je njeri, dhe sistemi nervor nuk merr pushime vetëm sepse kalendari thotë “verë.”

Ajo çka ndodh me mendimet tona është që, pasi kemi pritë gjithë vitin, mendojmë që vera duhet të jetë perfekte. Duhet ta shijojmë në maksimum. Por kur presim shumë, i lëmë vend edhe zhgënjimit. Kështu që provo ta shijosh verën për atë që është, pa asnjë pritshmëri.

Mënyra të vogla për t’u kujdesur për veten këtë verë

  1. Jepja vetes lejen të thuash jo. Nuk duhesh me u shfaqë në çdo aheng e me thënë po për çdo ftesë. Mund të thuash “Me shumë dëshirë, por këtë fundjavë m’duhet pak kohë për veten dhe për pak qetësi.” Kur i thua jo një gjëje, shpesh po i thua po energjisë e kohës tënde.

  2. Mbaje të paktën një rutinë. Nuk duhet gjithçka të mbetet njëlloj, por shpesh rutina e përditshme na ndihmon, p.sh. orari i njëjtë i gjumit, një shëtitje e shkurtër, pesë minuta qetësi në mëngjes — të gjitha këto mund ta ndihmojnë gjendjen tonë emocionale pozitivisht.

  3. Mos krahaso. Nëse po e krahason jetën tënde, tërhiqu prej këtij krahasimi. Kalo më pak kohë në telefon. Vera jote nuk ka nevojë për aprovimin e të tjerëve apo një audiencë për me qenë e vlefshme.

  4. Prano të tjerët ashtu siç janë. Lejo që vizitat në shtëpi të jenë ato që janë: qoftë edhe të komplikuara, dinamike. Mund ta duash familjen dhe njëkohësisht të duken vizitat pak të lodhshme. Të dyja mund të jenë të vërteta. Lejo pak kohë e hapësirë për veten.

  5. Cakto një buxhet për mirëqenien tënde. Nëse obligimet financiare po shtojnë stres, nuk ka problem fare me qenë i/e sinqertë (me veten dhe nganjëherë me familjen) për çka mundesh dhe çka jo këtë vit. Kufijtë rreth parave janë po ashtu të rëndësishëm.

  6. Komuniko barrierat tua. Krijo hapësirë me fol për atë se si ndihesh vërtetë. Shpesh shoqëria rreth nesh mendon se gjithçka është mirë sepse dukemi ashtu. Nuk duhet ta luajmë rolin e “jam mirë” për askënd, as për veten.

Nuk ka problem të kërkosh mbështetje

Nëse kjo verë po të sjell stres, ankth, tension familjar, apo veç një rëndesë që nuk di si me e emëru, nuk duhesh me e kalu vetëm. Ndonjëherë gjëja më e dobishme është thjesht me fol me dikë që të kupton.

Pikërisht për këtë ekziston Mendje.

Këtë verë, të urojmë të kalosh sa më shumë kohë të bukur me familje e shoqëri, por shpresojmë edhe të mbash mend se kujdesi për veten është pjesë e verës tënde perfekte.

Ky artikull është vetëm për qëllime informative dhe nuk zëvendëson mbështetjen profesionale psikologjike.

Burime shkencore: PLOS ONE (Hanley, Watt & Coventry, 2019) — Taking a Break from Facebook and Instagram; Sleep (Tomaso, Johnson & Nelson, 2021) — Sleep Deprivation and Mood: A Meta-Analysis; Media Psychology (Meier & Johnson, 2023) — Social Media, Upward Comparison, and Emotion; Behavioral Sciences (Garcini et al., 2025) — Cultural Stress and Mental Health in Immigrant Families; The Lancet Psychiatry (Bhui et al., 2023) — Mental Health Challenges of the Diaspora; Society and Mental Health (Steptoe et al., 2013) — Vacation, Restoration, and Mental Health.

Gati për të filluar? Shkarko aplikacionin Mendje dhe lidhu me një psikolog të licencuar që të kupton.

Artikuj të fundit

App Store · Google Play

Fillo tani rrugëtimin tënd me Mendje

Shkarko Mendje pa pagesë dhe lidhu me një Psikolog të licensuar brenda minutash. Hapi i parë është më i vështiri dhe ne jemi këtu për të të ndihmuar.