Cilat janë shenjat më të zakonshme që keni humbur vetën në një lidhje?
Një ndër konfliktet më të zakonshme në marrëdhënie që psikologët dëgjojnë, është fakti që shumica nga ne ndihemi sikur e kemi humbur vetën në një lidhje. Shpeshherë harrojmë se kush ishim para se të krijonim lidhje me dikë.
Kjo nuk ndodh vetëm në marrëdhëniet jo të shëndosha apo toksike, por ndodh që të humbasim vetën edhe kur jemi të lumtur me dikë dhe në marrëdhënie të shëndosha. Kjo ndodhë sepse kur dashurohemi, truri ynë përmbushet me dopaminë dhe oksitocinë, ndjenja këto të ngjashme me ato të cilat mund të aktivizohen nga substancat narkotike.
Kur aktivizohen këto pjesë specifike të trurit krijojnë një shtysë të fuqishme për të kaluar shumë kohë me atë person, dhe për dikë madje edhe për të shkrirë plotësisht jetën personale me atë të partnerit.
Kjo nuk është domosdoshmërisht një dukuri negative, por nëse për një periudhë të gjatë i dedikohemi tërësisht vetëm një personi, rrezikojmë të humbasim veten dhe autenticitetin tonë gjë që shpesh lidhet me vetëbesim të ulët dhe simptoma depresive.
Mënyra se si u kujdesën për ju si fëmijë formon në heshtje mënyrën se si jepni dhe merrni dashuri si i rritur.
Por si mund ta kuptojmë nëse po humbasim vetën në lidhje?
Gjithçka fillon gradualisht dhe me gjëra të vogla. P.sh., anuloni takimet me miqtë sepse partneri juaj duket i mërzitur, ndaloni së përmenduri promovimin tuaj sepse ai shqetësohet nga ambicia juaj apo zgjidhni restaurantin e njejtë, që ai preferon sepse përndryshe mërzitet.
Humbja e vetvetes nuk vjen si një stuhi. Ajo arrin gradualisht, në mënyrë të ngadalshme, derisa nuk mund të shihni më qartë.
Kompromiset duken të padëmshme një nga një, por kur ato mblidhen bashkë, krijohet një model i braktisjes së vetvetes.
Shumica e njerëzve nuk e humbin veten sepse janë të dobët. Zakonisht është e kundërta. Janë individë besnikë, të kujdesshëm dhe që përpiqen shumë.
Cilat janë shenjat më të zakonshme që keni humbur vetën në një lidhje?
- Veproni, flisni dhe merrni vendime bazuar në atë që mendoni se dëshiron partneri juaj dhe jo në atë që ndjeni në të vërtetë.
- Hobi, qëllimet dhe miqtë tuaj të ngushtë janë zhdukur në heshtje nga jeta juaj e përditshme.
- Kur dikush ju pyet çfarë ju pëlqen, mund të përgjigjeni vetëm në terma të “ne” — kurrë “unë”.
- Ndiheni përgjegjës për gjendjen emocionale të partnerit tuaj dhe e rraskapitni veten duke u përpjekur ta menaxhoni atë.
- Keni vënë ëndrrat tuaja, karrierën, arsimin, udhëtimet në pritje për të mbështetur ekskluzivisht qëllimet e tyre.
- Thoni po kur keni ndërmend të thoni jo, dhe ndiheni fajtorë që keni nevoja fare.
Hulumtimet tregojnë se kur shtypim nevojat tona për të plotësuar vetëm kërkesat e dikujt tjetër, në këtë rast, partnerit, kemi dukshëm rrezik më të lartë për vetëvlerësim të ulët, ankth dhe depresion.
Por, si ta gjejmë rrugën e kthimit tek vetja?
Individët që ruajnë një ndjenjë të fortë të vetvetes brenda marrëdhënies raportojnë kënaqësi më të lartë, komunikim më të mirë dhe lidhje më të qëndrueshme.
Është e rëndësishme të kuptojmë që nuk duhet të zgjidhni mes dashurisë dhe identitetit.
Marrëdhëniet më të shëndetshme janë ato ku dy njerëz bashkohen, jo që shkrihen në një.
Çiftet që ruajnë interesat individuale raportojnë 73% kënaqësi më të lartë në marrëdhënie sesa ata që nuk e bëjnë këtë. Të mbetesh vetja nuk është kërcënim për marrëdhënien tuaj. Është ajo që e mbron atë.
Ja disa këshilla nga psikologë dhe hulumtues të shëndetit mendor
1. Bëni një auditim të vetvetes
Shkruani një listë me gjërat që bëni para se të lidheshit me dikë. Shkruani mbi interesat, miqësitë, vlerat dhe qëllimet tuaja nga para se të fillonte marrëdhënia. Kërkoni pjesët e vetvetes që u lanë mënjanë në heshtje. Rilidhja me njërën prej tyre është një pikënisje kuptimplotë.
2. Ndaje kohën që të përket vetëm ty
Planifikoni të paktën një aktivitet çdo javë që është plotësisht i juaji. Mund të jetë një kurs, një shëtitje, një aktivitet, një kafe vetëm. Jo si rebelim, por si kujtesë se jeni një person jashtë kësaj marrëdhënieje. Keni nevojë për vende ku mund të dëgjoni veten dhe të mendoni.
3. Komunikoni sinqerisht, veçanërisht për gjërat që nuk ju pëlqejnë
Çdo herë që nuk flisni për të ruajtur paqen, fshini pak më shumë nga vetja. Zgjidhja nuk është konflikti, është shprehja e sinqertë dhe e sjellshme. Nëse diçka të shqetëson, thuaje. Nëse ke një mendim ndryshe, ndaje. Sa më shumë praktikoni të shfaqeni si vetja juaj autentike, aq më pak gjasa keni të humbni ndjenjën se kush jeni. Aq më shumë që jeni vetja juaj, njerëzit e duhur do ju gjejnë.
4. Rindërtoni miqësitë tuaja
Hulumtimet tregojnë se është normale të humbisni pak afërsi me miqtë kur fillon një marrëdhënie e re, sepse koha dhe vëmendja natyrshëm do të ndahet në më shumë vende. Por, problemi qëndron kur i gjithë botëkuptimi juaj shoqëror sillet vetëm rreth një personi. Shoqëria dhe familja janë një pjesë thelbësore e identitetit tuaj, se kush jeni ju, dhe ata të cilët ju njihnin para se marrëdhënia t’ju përcaktonte. Mbroni ato lidhje.
5. Mësoni dallimin mes kompromisit dhe tradhtisë ndaj vetvetes
Kompromis do të thotë të zgjidhni restorantin që preferojnë ata këtë herë. Tradhtia ndaj vetvetes do të thotë të mos shprehni kurrë preferencat tuaja sepse keni frikë nga reagimi i tyre. Kompromisi i shëndetshëm kërkon dy njerëz me mendime reale, nevoja reale dhe kufij realë. Nëse versioni juaj i mbajtjes së marrëdhënies rehat ka bërë që të fshihni veten, ajo nuk është më kompromis, është tradhti ndaj vetës.
6. Mbroni vlerat tuaja, jo vetëm ndjenjat tuaja
Shkruani pesë vlerat tuaja kryesore. Pastaj pyesni vetën sinqerisht: ku po i nderoj këto, dhe ku po i sakrifikoj? Një marrëdhënie që nuk mund të mbijetojë vlerat tuaja nuk është një që mund të pranojë veten tuaj të vërtetë.
Kujtesë për fund
Të jesh vetja nuk kërcënon marrëdhënien tuaj. Përkundrazi e mbron atë. Kur jeni të rrënjosur në atë që jeni, vlerat tuaja, zëri juaj, miqësitë tuaja, qëllimet tuaja, ju sillni një person autentik në marrëdhënie. Dhe njerëzit autentikë janë të vetmit të aftë për intimitet të vërtetë.
Udhëtimi i kthimit tek vetja nuk kërkon të largoheni nga marrëdhënia juaj. Nëse për një kohë e keni humbur veten në një lidhje, kjo është një thirrje për ju që të riktheni vlerat tuaja dhe të jeni vetja juaj autentike. Sepse diku thellë brenda, ajo është ende aty, duke pritur të rikthehet.
Zgjidhni veten, çdo ditë. Sepse personi më i rëndësishëm në jetën tuaj jeni ju vetë.
Burime shkencore: Psychology Today (Lancer, 2020) — How We Lose Ourselves in Relationships; Psychology Today (Kim, 2024) — How to Stop Losing Yourself in Relationships; PsychAlive (Firestone, 2023) — How to Go All In Without Losing Yourself; Growing Self (Bobby, 2025) — Losing Yourself in a Relationship; The Gottman Institute (2020) — Research on Relationships & Individual Interests; Journal of Personality and Social Psychology (Aron et al., 1995) — Falling in love & self-concept change; Basic Books (Bowlby, 1969) — Attachment and Loss; American Psychological Association (2019) — Codependency and Mental Health Outcomes.