Kalo te përmbajtja
Ankthi & Paniku

Të gjithë shohin arritjet e tua, por kush po kujdeset për ty?

Andrra Kelmendi
Andrra Kelmendi Hulumtuese Shkencore
| | 7 min lexim

Sa nga gjërat që po bën sot, do t’i bëje nëse nuk do të ishin thjesht ‘mirë për CV’?

Ndërtuam një shoqëri rreth punës

Sot, puna dhe arritjet janë bërë qendra e mënyrës si e ndërtojmë jetën tonë. Jo vetëm rreth asaj që bëjmë, por edhe rreth mënyrës se si e kuptojmë veten.

Filozofi Byung-Chul Han, në librin The Burnout Society (2015), argumenton se nuk jetojmë më në një shoqëri që na thotë çfarë duhet të bëjmë, por jetojmë në një shoqëri që na thotë se mund të bëjmë gjithçka. Dhe pikërisht ky ndryshim, nga detyrimi te mundësia, është më rraskapitës sesa duket. Sepse kur gjithçka duket e mundur, mosarritja e gjithçkaje fillon të duket si faji yt.

Kur Facebook u shfaq për herë të parë, njerëzit ishin skeptikë. Të publikoje jetën tënde në internet dukej e çuditshme, madje pak e tepruar. Edhe Instagrami u prit me të njëjtën habi. Kush fotografon drekën e vet? Sot, po ato instinkte kanë prodhuar LinkedIn-in, ku nuk fotografojmë më ushqimin, por versionin më të mirë të vetes sonë profesionale. Madje ekzistojnë kurse që të mësojnë si ta përdorësh LinkedIn më mirë, si të ndërtosh ‘personal brand’-in tënd, si të dukesh më ambicioz dhe vazhdimisht entuziast për rrugëtimin tënd profesional.

Dhe LinkedIn mund të jetë vërtet i dobishëm. Ai hap shumë dyer, lidh njerëz dhe e bën botën profesionale më të afërt. Por, diku gjatë rrugës, ai u shndërrua edhe në një skenë. Një vend ku të gjithë duken sikur po ecin përpara, po mësojnë, janë mirënjohës për çdo hap dhe mezi presin të ndajnë suksesin e radhës. Studime të ndryshme sugjerojnë se LinkedIn mund të jetë një nga platformat më problematike për shëndetin mendor, pikërisht sepse është rrjet social i maskuar si produktivitet.

Por a përfundon e gjithë kjo vetëm në CV?

A përfundon e gjithë kjo vetëm në CV apo edhe në shëndetin tonë mendor? Është një pyetje që nuk më largohet nga mendja.

Projekte të reja, pozita e certifikata të reja. LinkedIn post i ri. Gjithçka duket mirë në LinkedIn. Por, çfarë po ndodh me shëndetin tënd në ndërkohë?

A shkruan CV-ja jote diku se ke bërë vetëm katër orë gjumë për muaj me radhë? A tregon ajo se ke qarë pas një dite të lodhshme?

Sipas raportit State of the Global Workplace të Gallup, 52% e punonjësve raportuan se përjetojnë burnout gjatë vitit 2024. Tek punonjësit nën moshën 35-vjeçare, kjo përqindje arrin në 59%. Këto nuk janë shifra të vogla. Nuk është një përvojë e rrallë. Është realiteti i përditshëm për miliona njerëz.

Megjithatë, ne vazhdojmë të përditësojmë CV-të tona.

Çfarë është në të vërtetë burnout-i dhe pse vjen kaq ngadalë?

Burnout nuk është thjesht lodhje. Nuk është një javë e vështirë apo një afat i ngarkuar. Organizata Botërore e Shëndetësisë e përkufizon burnout-in si një fenomen që lind nga stresi kronik në vendin e punës, i cili nuk është menaxhuar me sukses.

Ai shfaqet në tre forma kryesore: një ndjenjë e vazhdueshme e shterimit të energjisë, një distancim emocional nga puna, dhe ndjesia se nuk je më efektiv ose se puna jote nuk ka më kuptim.

Dallimi më i rëndësishëm është ky: lodhja e zakonshme bashkëjeton me motivimin. Je i lodhur, por ende e di pse po e bën atë që po bën. Tek burnout, gjërat që dikur të motivonin fillojnë të duken pa kuptim. Dhe kjo nuk është dembelizëm. Është një sinjal.

Studiuesja Christina Maslach, një nga emrat më të njohur në këtë fushë, thotë se burnout prek më shpesh njerëzit që përkushtohen plotësisht në punë, ata që e kanë të vështirë të thonë ‘jo’, ata që fillimisht donin thjesht të bënin punën mirë. Lodhja nuk është shenjë dobësie. Përkundrazi. Shpesh është shenjë se ke dhënë më shumë nga vetja sesa ke mundur.

Burnout ndërtohet ngadalë. Shumica e individëve e kuptojnë vetëm kur shohin pas. Shenjat kanë qenë aty prej muajsh: një ndjenjë boshllëku, cinizëm ndaj kolegëve ose punës, tension fizik që nuk largohet, sëmundje më të shpeshta, ose shtyrje e vazhdueshme e detyrave që dikur dukeshin të lehta. Disa njerëz vazhdojnë të funksionojnë normalisht nga jashtë, ndërkohë që brenda janë plotësisht të rraskapitur. Kjo njihet shpesh si high-functioning burnout, dhe është një nga format më të vështira për t’u dalluar, madje edhe nga vetë individi.

Zëri i brendshëm dhe nga vjen ai

Ekziston një zë. Ndoshta e njeh edhe ti. Ai tingëllon plotësisht racional. Të thotë: ‘Një ditë do të jesh mirënjohës që e bëre.’ ‘Është një mundësi.’ ‘Të tjerët do të jepnin gjithçka për këtë.’ ‘Dhe, është mirë për CV.’

Ky zë nuk vjen me qëllim të keq. Ai është formuar nga një kulturë që e mat vlerën e njeriut me atë që prodhon. Psikologët e quajnë këtë work-role centrality, shkalla në të cilën identiteti profesional bëhet pjesa kryesore e mënyrës se si e shohim veten. Studime të publikuara nga Fast Company dhe Psychology Today tregojnë se kur vetëvlerësimi lidhet plotësisht me performancën në punë, çdo dështim profesional fillon të ndihet si një dështim personal. Edhe pushimi fillon të kalojë nëpër filtrin e produktivitetit. Kur ndodhi që pushimi pushoi së qenuri diçka që e meriton thjesht sepse je njeri, dhe u bë diçka që duhet ta fitosh?

Studimet tregojnë gjithashtu se njerëzit që arrijnë të shkëputen psikologjikisht nga puna gjatë kohës së lirë rikuperohen shumë më mirë nga stresi kronik sesa ata që vazhdojnë të mendojnë për punën edhe pasi dita ka mbaruar. Prandaj, pushimi nuk është luks. Është një nevojë biologjike, jo humbje kohe. Është pjesë e procesit që na lejon të vazhdojmë të punojmë. Pa të, as puna nuk është e qëndrueshme. Megjithatë, ai zëri i brendshëm vazhdon të na bindë se koha e lirë është kohë e humbur. Në realitet, ai po dëmton pikërisht aftësinë tonë për të funksionuar.

Ndoshta mirënjohja nuk duhet fituar

Ndihesh krenar me veten vetëm pasi ke arritur diçka? Pushon vetëm pasi ke punuar mjaftueshëm? Ndihesh ‘mjaftueshëm’ vetëm pasi e ke dëshmuar tek dikush?

Nëse kjo ndjenjë tingëllon e njohur, atëherë ndoshta po jetojmë më shumë për të tjerët sesa për veten.

Po sikur të mësonim të ishim mirënjohës ndaj vetes sepse ne po ndihemi ashtu, edhe nëse për të tjerët nuk është aq e rëndësishme apo produktive?

Kjo është mënyra më e qëndrueshme për të jetuar dhe për të punuar. Studimet tregojnë vazhdimisht se motivimi i brendshëm, pra të bësh diçka sepse përputhet me vlerat e tua, lidhet me mirëqenie më të lartë dhe rezultate më të mira sesa motivimi që mbështetet vetëm te vlerësimi i të tjerëve.

Nëse e ke gjetur veten në këtë shkrim dhe ke kohë që ndjen një lodhje që nuk largohet as pas fundjavës, Mendje është hapësira ku mund të flasësh hapur për mbingarkesën në punë, stresin kronik dhe lodhjen, përpara se të kalosh në burnout.

Ndërhyrja e hershme është më efektive. Bisedo me një psikolog dhe mëso si ta parandalosh burnout-in. Burnout është shumë më i lehtë për t’u trajtuar kur njihet herët sesa kur ka qëndruar në heshtje për një kohë të gjatë.

Ky artikull ka vetëm qëllim informues dhe nuk zëvendëson mbështetjen profesionale psikologjike.


Burime shkencore: World Health Organization (2019) — Burn-out, an “occupational phenomenon”, International Classification of Diseases; Maslach, C. & Leiter, M. P., Jossey-Bass (1997) — The Truth About Burnout; Sonnentag, S. & Fritz, C., Journal of Occupational Health Psychology 12(3) (2007) — The Recovery Experience Questionnaire; Han, B.-C., Stanford University Press (2015) — The Burnout Society; Gallup (2024) — State of the Global Workplace Report; University of California, Irvine (2025) — Hustle culture and the LinkedIn effect; Fast Company (2023) — The psychological pitfalls of tying self-worth and happiness to performance; World Health Organization (2016) — Investing in treatment for depression and anxiety leads to a fourfold return.

Artikuj të fundit

Si ta menaxhojmë ankthin?
Ankthi & Paniku

Si ta menaxhojmë ankthin?

Strategji praktike për menaxhimin e ankthit: nga terapia CBT dhe meditimi, deri te ushtrimet e frymëmarrjes dhe ndryshimi i stilit të jetesës.

Andrra Kelmendi

1.3.2026 · 7 min lexim

App Store · Google Play

Fillo tani rrugëtimin tënd me Mendje

Shkarko Aplikacionin Mendje dhe lidhu me një Psikolog të licensuar brenda minutash. Hapi i parë është më i rëndësishmi dhe ne jemi këtu për të të ndihmuar.