Kalo te përmbajtja
Mendje
Shqetësimet & Stresi

Çfarë është terapia CBT dhe pse funksionon?

Andrra Kelmendi
Andrra Kelmendi Hulumtuese Shkencore
9 min lexim

Më në fund keni vendosur të shkoni tek psikologu, por vijnë disa mendime që ju ndalojnë..

Çka nëse e kupton dikush?

Çka nëse më sheh dikush duke hyrë tek dera e psikologut?

Dhe kështu pa kuptuar fare, e bindni veten për të mos shkuar.

Si pasojë, të gjitha ato mendime që planifikuat t’i flisni me dikë, i mbani në vete. Ankthin që ju zgjon në orën tre të mëngjesit, lodhjen që gjumi nuk e rregullon, humorin e ulët që në heshtje ka kaluar nga java në muaj.

Në komunitetin tonë, stigma rreth shëndetit mendor është mjaft e fortë sa t’i ndalë njerëzit të kërkojnë ndihmë edhe kur është e domosdoshme.

Studimet e fokusuara në zbatimin e ndërhyrjeve për shëndetin mendor në Shqipëri dhe Kosovë identifikojnë të njëjtin model: vetë-stigmatizimi, frika e të qenit i gjykuar nga të tjerët dhe dëshira për të përballuar vështirësitë pa ndihmë profesionale janë pengesat kryesore që i ndalojnë individët të kërkojnë mbështetje (JMIR Formative Research, 2021).

Këto nuk janë dështime personale.

Janë përgjigje të parashikueshme ndaj një mjedisi kulturor ku shëndeti mendor prej kohësh është trajtuar si diçka private, madje e turpshme.

Të kuptosh si funksionojnë qasjet e ndryshme në psikologji mund ta bëjë hapin e parë pak më të lehtë. Një nga qasjet më të njohura dhe më të studiuara është terapia njohëse-sjellëse (CBT), e cila përdoret për ankthin, panikun, depresionin dhe shumë vështirësi të tjera.

Në vijim do të flasim se çfarë është CBT, si funksionon dhe kush e ofron.

Çfarë është CBT dhe pse funksionon?

Terapia njohëse-sjellore (CBT) është një nga format më të hulumtuara dhe të bazuara në shkencë. Ndërtohet mbi një premisë të thjeshtë: mënyra si mendojmë formëson drejtpërdrejt mënyrën si ndihemi dhe si sillemi.

Kur jemi të bllokuar në mendime ankthioze, vetëkritike ose të pashpresë, këto mendime nuk mbeten vetëm në mendjen tonë.

Ato shfaqen në trupin tonë, në marrëdhëniet tona dhe në zgjedhjet tona të përditshme.

CBT funksionon duke i bërë këto modele të dukshme, duke i shqyrtuar dhe duke ndërtuar gradualisht mënyra më të sakta dhe më të dobishme për t’u lidhur me veten dhe me botën.

Nuk është thjesht një bisedë. Është punë e strukturuar, e orientuar drejt një qëllimi të qartë: të ndihesh më mirë dhe të përballosh vështirësitë më lehtë.

Teknikat praktikohen edhe mes seancave, jo vetëm gjatë tyre, gjë që është pjesë e asaj që e bën ndryshimin të qëndrueshëm.

Kjo strukturë u ndihmon njerëzve të kuptojnë procesin nëpër të cilin po kalojnë, jo thjesht të udhëhiqen pasivisht.

CBT ekziston që nga vitet 1960 dhe sot është një nga qasjet më thellësisht të hulumtuara në psikologji.

Ajo që e dallon nuk është thjesht se është studiuar shumë, por se rezultatet e saj janë konfirmuar në kultura dhe kontekste të ndryshme.

Për çfarë përdoret CBT? Ankth, depresion, panik apo edhe më shumë?

Në kërkimet shkencore, CBT është studiuar për një gamë të gjerë vështirësish. Më të zakonshmet përfshijnë:

Ankthi dhe shqetësimi. CBT konsiderohet një nga qasjet standarde për ankthin: ai lloj që qëndron në sfond të gjithçkaje, duke i kthyer situatat e zakonshme në diçka që ndihet e papërballueshme.

Sulmet e panikut. CBT ndihmon në identifikimin e cikleve mendim-sjellje që shkaktojnë dhe mbajnë gjallë panikun, dhe i çrregullon gradualisht ato.

Depresioni. CBT merret me modelet e mendimit ripërsëritës, tërheqjen e sjelljes dhe motivimin e ulët që karakterizojnë depresionin, me efektivitet të dokumentuar në disa nga provat më të mëdha klinike në hulumtimin e psikoterapisë (Cuijpers et al., 2023).

Djegia profesionale (burnout) dhe stresi kronik. Kur stresi i punës është mbartur për shumë kohë, CBT ndihmon në identifikimin e sjelljeve që kanë çuar në këtë gjendje.

Vetëbesimi i ulët. Kritiku i brendshëm ka një strukturë. CBT e harton, e shqyrton dhe ndërton një marrëdhënie tjetër, më pozitive me kritikun tonë të brendshëm.

Vështirësitë e gjumit. CBT për pagjumësinë (CBT-I) rekomandohet shpesh si qasja e parë për pagjumësinë kronike. Ilaçet e gjumit janë një mundësi tjetër, por merren vetëm me rekomandim të mjekut.

Vështirësitë në marrëdhënie. CBT ndihmon në identifikimin e modeleve se si shfaqemi në marrëdhënie me të tjerët, dhe çfarë mund të ndryshojmë.

Nëse nuk jeni të sigurt nëse ajo që po përjetoni përshtatet me ndonjë nga këto, mjeku juaj mund t’ju orientojë drejt mbështetjes së duhur.

Si duket zakonisht procesi i CBT-së?

Procesi i CBT-së zakonisht ndjek disa faza:

Fillimi: vlerësimi. Profesionisti dëgjon çfarë po përjetoni, bën pyetje sqaruese dhe fillon të ndërtojë një pamje të asaj që po shkakton vështirësinë.

Formulimi. Së bashku hartohet se si mendimet, emocionet, ndjesitë fizike dhe sjelljet janë të lidhura. Kjo quhet formulim, një kuptim i përbashkët se si është krijuar kjo gjendje.

Puna aktive. Këtu hyjnë teknikat e CBT-së: ristrukturimi njohës (shqyrtimi dhe vënia në dyshim e mendimeve të padobishme), aktivizimi i sjelljes (rikthimi gradual i aktiviteteve kuptimplote), ekspozimi (përballja me situatat e shmangura në hapa të përballueshëm) dhe aftësi për menaxhimin e emocioneve të vështira në kohë reale.

Mes seancave. CBT kërkon diçka edhe jashtë seancës: praktika të vogla, reflektim ose eksperimente sjelljeje. Kjo është ajo që e bën ndryshimin të qëndrueshëm.

Përfundimi: konsolidimi. Në fund rishikohet çfarë ka ndryshuar, çfarë strategjish duhen vazhduar dhe çfarë duhet vëzhguar.

CBT në Gjermani

Në Gjermani, CBT (Kognitive Verhaltenstherapie, KVT) është psikoterapi. Ajo ofrohet nga psikoterapistë me licencë shtetërore (approbierte Psychotherapeut:innen) dhe, kur plotësohen kushtet, mbulohet nga sigurimi shëndetësor.

Kohët e pritjes mund të jenë të gjata: mesatarisht rreth 142 ditë mes konsultës së parë dhe fillimit të terapisë së rregullt. Hapi i parë është zakonisht mjeku i familjes (Hausarzt) ose numri 116 117, që ndihmon për të gjetur një termin për konsultë psikoterapeutike (psychotherapeutische Sprechstunde).

Pyetjet më të shpeshta rreth CBT-së

A është CBT online po aq efektive sa ajo ballë-për-ballë?

Shumë studime të gjera tregojnë se CBT online, e udhëhequr nga një profesionist, jep rezultate të krahasueshme me CBT-në ballë-për-ballë për ankthin, depresionin dhe vështirësi të ngjashme.

Sa seanca zgjat zakonisht CBT?

Shumica e njerëzve mbajnë diku rreth 8 deri 20 seanca, në varësi të asaj me çfarë po përballen. Kjo është më e shkurtër se shumë qasje të tjera, me rezultate mirë të dokumentuara.

Burime shkencore: Frontiers in Public Health (2024): Mental health awareness, stigma, and help-seeking attitudes among Albanian university students in the Western Balkans; JMIR Formative Research (2021): Organizational Readiness for Implementing an Internet-Based CBT Intervention in Albania and Kosovo; BPS (Thomas et al., 2021): Videoconferencing psychotherapy and depression: A systematic review; Karger (Voderholzer et al., 2021): Video-based psychotherapy: A review of the evidence; Clinical Psychology Review (Andersson et al., 2021): Internet-delivered cognitive behavioral therapy: A systematic review; Cognitive Behaviour Therapy (Carlbring et al., 2022): Internet-based cognitive behavior therapy for psychiatric and somatic disorders: A systematic review and meta-analysis; World Psychiatry (Cuijpers et al., 2023): Cognitive behavior therapy vs. control conditions, other psychotherapies, pharmacotherapies and combined treatment for depression; PMC (2012): The Effectiveness of Online Cognitive Behavioral Treatment in Routine Clinical Practice; World Health Organization (2016): Investing in treatment for depression and anxiety leads to fourfold return; Psychofit.de (2024): Waiting Time for Psychotherapy: 142 Days.

Lexo edhe Jetesa jashtë vendit dhe shqetësimet.

Nëse ndjenjat janë të forta ose zgjasin gjatë, fol me mjekun tënd. Për të folur me dikë në shqip për sfidat e përditshme, mund të gjesh një psikolog në Mendje.

Artikuj të fundit

App Store · Google Play

Fillo tani rrugëtimin tënd me Mendje

Shkarko Aplikacionin Mendje dhe lidhu me një Psikolog të licensuar brenda minutash. Hapi i parë është më i rëndësishmi, dhe ne të ndihmojmë ta gjesh psikologun e duhur.

Seancat janë këshillim psikologjik nga psikologë të pavarur, jo psikoterapi apo trajtim mjekësor.