Kalo te përmbajtja
Mendje
Shqetësimet & Stresi

Mos qaj, burrat nuk qajnë.

Eliza Th. Shporta
Eliza Th. Shporta Psikologe në Mendje
6 min lexim

Më 19 nëntor shënohet Dita Ndërkombëtare e Burrave. Kjo ditë na kujton rëndësinë e kontributit të burrave në familje dhe në shoqëri, por edhe nevojën për t’i kushtuar më shumë vëmendje mirëqenies së tyre psikologjike dhe emocionale.

Shpesh, kur flasim për sfidat dhe problemet shoqërore, vëmendja përqendrohet te gratë. Kjo është e kuptueshme, duke pasur parasysh sfidat me të cilat ato përballen.

Megjithatë, është po aq e rëndësishme të flasim edhe për burrat, për përvojat e tyre emocionale dhe për vështirësitë që shpesh mbeten të pathëna.

Ndjenjat janë të natyrshme dhe djemtë lindin po aq të ndjeshëm sa vajzat. Megjithatë, gjatë rritjes dhe procesit të socializimit, shumë prej tyre mësojnë t’i fshehin emocionet dhe të shkëputen gradualisht prej tyre.

Përmes pritjeve shoqërore, djemve shpesh u hiqet e drejta për të shprehur lirshëm atë që ndiejnë. Edhe përvojat e kaluara, veçanërisht ato që lidhen me traumën, mund ta vështirësojnë shprehjen e emocioneve.

Çka pret shoqëria nga një burrë?

Zakonisht, nga një burrë pritet të jetë i fortë, i përgjegjshëm, i pavarur, të sigurojë të ardhurat për familjen, të kujdeset për të dhe të jetë gjithmonë i gatshëm për të zgjidhur problemet.

Shoqëria i inkurajon djemtë ta ndërtojnë identitetin e tyre rreth forcës dhe qëndrueshmërisë, duke krijuar një imazh të maskulinitetit që shpesh lë në hije anën e tyre njerëzore dhe emocionale.

Këto pritshmëri mund të krijojnë presion të vazhdueshëm për t’i shtypur emocionet dhe për të mos shfaqur cenueshmëri.

Si pasojë, burrat mund të përjetojnë një konflikt të brendshëm mes asaj që ndiejnë dhe asaj që shoqëria pret prej tyre.

Hulumtimet tregojnë se normat tradicionale mashkullore, si të qenit i fortë, i suksesshëm, i pavarur dhe në kontroll, si dhe shmangia e shprehjes së emocioneve, ndikojnë që burrat të hezitojnë të kërkojnë ndihmë për depresionin dhe problemet e tjera të shëndetit mendor.

Por, a mendojmë ndonjëherë se çfarë ndodh me ndjenjat dhe nevojat e tyre?

Që në fëmijëri, shumë djem rriten duke dëgjuar mesazhe të tilla:

“Mos qaj, burrat nuk qajnë.”

“Duhet të jesh i fortë.”

“Mos e trego dobësinë.”

Me kalimin e kohës, këto mesazhe mund t’i bëjnë të besojnë se shprehja e emocioneve është shenjë dobësie.

Por e vërteta është se edhe burrat ndiejnë, lëndohen, frikësohen dhe kanë nevojë për mbështetje.

Edhe ata përjetojnë pasiguri, trishtim dhe momente kur ndihen të mbingarkuar emocionalisht.

Çfarë ndodh kur emocionet mbahen brenda?

Për shkak të pritshmërive shoqërore, shumë burra zgjedhin të heshtin dhe t’i mbajnë shqetësimet brenda vetes.

Megjithatë, shtypja e vazhdueshme e emocioneve nuk i zgjidh problemet. Përkundrazi, mund të ndikojë negativisht në shëndetin mendor dhe në marrëdhëniet me partneren, fëmijët, familjen dhe njerëzit përreth.

Kur një burrë nuk ndihet i lirë të flasë për atë që e shqetëson, vështërsitë emocionale mund të shfaqen në mënyra të ndryshme, si zemërimi, agresiviteti, izolimi, tërheqje emocionale, vështërsi në komunikim, konflikte ndërpersonale, apo në disa raste edhe abuzim me substanca. 

Kjo lidhet edhe me faktin se burrat, në përgjithësi, kërkojnë më rrallë ndihmë psikologjike sesa gratë. Kështu, vështirësitë emocionale mund të mbeten të paadresuara për një kohë të gjatë.

Shpesh zemërimi dhe agresiviteti mund të jenë emocione më të pranueshme për burrat sesa ndjeshmëria dhe cenueshmëria.

Për këtë arsye, zemërimi ndonjëherë mund të shërbejë si mënyrë për të mbuluar emocione të tjera, si frika, turpi apo pikëllimi. 

Mirëpo, kjo nuk do të thotë se pranimi i zemërimit e arsyeton sjelljen agresive tek burrat. Çdo njeri ka të drejtë t’i përjetojë emocionet e tij, por edhe të mbajë përgjegjësi për mënyrën se si i shpreh dhe sjelljen ndaj tjerëve.  

Si mund të shprehen emocionet në mënyrë më të shëndetshme?

Të shprehësh ndjenjat dhe të kërkosh ndihmë psikologjike nuk do të thotë të jesh i dobët apo “më pak burrë”. Përkundrazi, është shenjë pjekurie, vetëdijeje dhe aftësie për të vetërregulluar emocionet.

Një burrë duhet të ndihet i lirë të thotë:

“Nuk ndihem mirë.”

“Kam nevojë për pak kohë.”

“Ndihem i turpëruar.”

“Kam nevojë të flas me dikë.”

Këto nuk janë shenja dobësie, por mënyra të shëndetshme për t’u kujdesur për veten dhe për mirëqenien emocionale.

Kjo është e rëndësishme edhe për marrëdhëniet ndërpersonale. Kur burrat nuk përfshihen aktivisht në komunikimin emocional, barra e identifikimit të problemeve dhe e riparimit të marrëdhënies shpesh bie mbi gratë.

Një përfshirje më e barabartë në komunikim emocional do të ndihmonte në krijimin e marrëdhënieve më të shëndetshme.

Kur burrat ndihen të dëgjuar, të kuptuar dhe të mbështetur, ata kanë më shumë mundësi të ndërtojnë marrëdhënie të shëndetshme dhe të përballojnë më mirë sfidat e jetës.

Ku mund të kërkojnë burrat ndihmë?

Ekzistojnë disa mënyra për të marrë mbështetje emocionale dhe psikologjike:

Terapia dhe këshillimi psikologjik: Ofrojnë një hapësirë të sigurt dhe konfidenciale ku burrat mund të flasin për emocionet, shqetësimet dhe përvojat e tyre. Përmes punës me profesionistë, ata mund të kuptojnë më mirë veten dhe të zhvillojnë mënyra më të shëndetshme për t’u përballur me vështirësitë.

Grupet mbështetëse: Grupet e krijuara për burra që përballen me vështirësi emocionale ose probleme të shëndetit mendor mund të ofrojnë ndjenjën e përkatësisë dhe mirëkuptimit. Në Kosovë, do të ishte e rëndësishme të krijohen grupe të tilla mbështetëse të shëndetit mendor.  

Linjat telefonike të ndihmës: Linjat falas për parandalimin e vetëvrasjes (112) dhe mbështetjen emocionale mund të ofrojnë dëgjim dhe ndihmë në momente të vështira.

Platformat online të këshillimit: Platformat si Mendje mundësojnë qasje në psikologë të licencuar në vend, duke e bërë mbështetjen psikologjike më të qasshme, pavarësisht vendndodhjes.

Çka mund të bëjmë ne si shoqëri?

Askush nuk përfiton nga miti se burrat nuk kanë ndjenja ose se duhet të jenë gjithmonë të fortë. Prandaj, është e rëndësishme të krijojmë një shoqëri ku djemtë dhe burrat të ndihen të lirë të shprehin emocionet e tyre pa frikën e paragjykimit. 

Kjo fillon që në familje, duke i lejuar djemtë të qajnë, të shprehin frikën, pasigurinë dhe trishtimin, pa i turpëruar apo gjykuar. Vazhdon në marrëdhëniet tona të përditshme duke i inkurajuar të flasin hapur për atë që përjetojnë. 

Gjithashtu edhe vet burrat kanë përgjegjësi për zhvillimin e aftësive emocionale, komunikim dhe kërkimin e ndihmës.

Sot, le të vlerësojmë burrat që janë shembuj pozitiv në familje dhe në shoqëri, por mbi të gjitha, le t’u kujtojmë se nuk kanë nevojë të jenë gjithmonë të fortë.  

Sepse edhe burrat kanë ndjenja. Edhe ata kanë nevojë të dëgjohen, të kuptohen dhe të mbështeten.

Referenca

  1. Sam de Boise and Jeff Hearn (2017.) Are men getting more emotional? Critical sociological perspectives on men, masculinities and emotions.
  2. Mokhwelepa, L. W., et al. (2025). Men’s mental health matters: The impact of traditional masculinity norms on men’s willingness to seek mental health support.
  3. Chaplin, T. M. (2015). Gender and emotion expression: A developmental contextual perspective. Emotion Review, 7(1), 14,21.
  4. McRae, K., Ochsner, K. N., Mauss, I. B., Gabrieli, J. D. E., & Gross, J. J. (2008). Gender differences in emotion regulation: An fMRI study of cognitive reappraisal. Group Processes & Intergroup Relations, 11(2), 143,162.
  5. Emir Uzmcek (2025). Traditional Masculinity and Men’s Psychological Help-Seeking.
  6. World Health Organization Report (2020). Men’s Mental Health and Gender Norms.

Nëse ndjenjat janë të forta ose zgjasin gjatë, fol me mjekun tënd. Për të folur me dikë në shqip për sfidat e përditshme, mund të gjesh një psikolog në Mendje.

Artikuj të fundit

App Store · Google Play

Fillo tani rrugëtimin tënd me Mendje

Shkarko Aplikacionin Mendje dhe lidhu me një Psikolog të licensuar brenda minutash. Hapi i parë është më i rëndësishmi, dhe ne të ndihmojmë ta gjesh psikologun e duhur.

Seancat janë këshillim psikologjik nga psikologë të pavarur, jo psikoterapi apo trajtim mjekësor.