Kalo te përmbajtja
Mendje
Shqetësimet & Stresi

Si të mësosh të jesh vetvetja

Oliana Manaj
Oliana Manaj Psikologe
3 min lexim

Fëmija i brendshëm që vazhdon të kërkojë dashuri: Kur mësojmë të jemi ata që të tjerët duan

Ka njerëz që e kanë të vështirë të thonë “JO”, edhe kur janë të lodhur. Kërkojnë falje pa pasur faj dhe kujdesen vazhdimisht për të tjerët, ndërsa harrojnë nevojat e tyre.

Nga jashtë duken të sjellshëm, të përgjegjshëm dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar. Por pas kësaj sjelljeje ndonjëherë fshihet historia e një fëmije që ka mësuar se dashuria fitohet duke mos zhgënjyer askënd.

Në psikologji, shprehja “fëmija i brendshëm” përdoret si metaforë për gjurmët emocionale të fëmijërisë dhe mënyrat se si kemi mësuar të kërkojmë dashuri, siguri dhe pranim.

Kur dashuria duhet fituar

Fëmijët kanë nevojë për një mjedis ku emocionet dhe nevojat e tyre pranohen. Por ndonjëherë mësojnë se zemërimi është mosbindje, trishtimi dobësi dhe kundërshtimi mungesë respekti.

Gradualisht, fëmija mund të krijojë bindjen: “Për të qenë i dashur, duhet të jem ai që të tjerët presin”.

Psikoanalisti Donald Winnicott (1960) e shpjegoi këtë proces përmes koncepteve të Vetes së Vërtetë (True Self) dhe Vetes së Rreme (False Self).

Sipas tij, kur fëmija nuk gjen hapësirë të mjaftueshme për të shprehur spontanisht nevojat dhe emocionet, mund të zhvillojë një mënyrë të të qenit që përshtatet me pritshmëritë e të tjerëve.

Vetja e Rreme shërben si një formë mbrojtjeje, por në moshën madhore mund të shoqërohet me vështirësi për të njohur dëshirat personale dhe për të ndier autenticitet.

Kur fëmijëria na ndjek në marrëdhëniet me të rriturit

Disa fëmijë mësojnë herët të kujdesen për emocionet e prindërve, duke u përpjekur të shmangin konfliktet dhe të mos shkaktojnë zhgënjim.

Më vonë, kjo mund të shfaqet si frikë nga refuzimi, vështirësi për të vendosur kufij dhe nevojë e vazhdueshme për miratim.

Teoria e atashimit e John Bowlby (1969/1982) sugjeron se marrëdhëniet e hershme ndikojnë në pritshmëritë që krijojmë për veten dhe të tjerët.

Në marrëdhëniet romantike, disa njerëz mund të kërkojnë vazhdimisht siguri nga partneri, ndërsa të tjerë mund të shmangin afërsinë emocionale.

Megjithatë, përvojat e fëmijërisë nuk e përcaktojnë përfundimisht mënyrën se si do të ndërtojmë marrëdhëniet tona.

Të mësosh të jesh vetvetja

Të kuptosh ndikimin e fëmijërisë nuk do të thotë të fajësosh prindërit, por të njohësh mënyrat e përshtatjes që dikur mund të na kenë mbrojtur.

Një hap drejt autenticitetit është të pyesim veten: “A po e bëj këtë sepse e dua vërtet, apo sepse kam frikë të zhgënjej dikë?”

Biseadat me Psikologun mund të ndihmojë për të kuptuar këto modele dhe për të krijuar një marrëdhënie më të shëndetshme me veten.

Sepse ajo që dikur na ka mbrojtur, nuk është domosdoshmërisht ajo që na nevojitet sot.

Ndonjëherë, të rritesh emocionalisht do të thotë të kuptosh se nuk duhet të heqësh dorë nga vetja për të ruajtur dashurinë e të tjerëve.


Referenca

Bowlby, J. (1982). Attachment and loss: Vol. 1. Attachment (2nd ed.). Basic Books. (Vepra origjinale botuar më 1969).

Winnicott, D. W. (1960). Ego distortion in terms of true and false self. In The maturational processes and the facilitating environment: Studies in the theory of emotional development (1965). Hogarth Press.

Miller, A. (1997). The drama of the gifted child: The search for the true self (Rev. ed.). Basic Books.

Nëse ndjenjat janë të forta ose zgjasin gjatë, fol me mjekun tënd. Për të folur me dikë në shqip për sfidat e përditshme, mund të gjesh një psikolog në Mendje.

Artikuj të fundit

App Store · Google Play

Fillo tani rrugëtimin tënd me Mendje

Shkarko Aplikacionin Mendje dhe lidhu me një Psikolog të licensuar brenda minutash. Hapi i parë është më i rëndësishmi, dhe ne të ndihmojmë ta gjesh psikologun e duhur.

Seancat janë këshillim psikologjik nga psikologë të pavarur, jo psikoterapi apo trajtim mjekësor.