Kalo te përmbajtja
vetëkujdes

Vetmia në një vend të ri: Kur ëndrra ndihet ndryshe nga sa e kishe imagjinuar

Dorentina Podrimqaku · · 6 min lexim

Të shpërngulesh në një vend të ri është një ëndërr që shumë njerëz e kanë që në moshë të vogël.

Ideja për të eksploruar botën, për të zbuluar kultura të reja, për të studiuar jashtë vendit ose për të ndërtuar një jetë më të mirë diku tjetër mund të duket jashtëzakonisht emocionuese. Për disa, motivimi vjen nga kureshtja dhe aventura. Për të tjerë, ai vjen nga vështirësitë financiare, mundësitë e kufizuara ose dëshira për një arsim më të mirë apo zhvillim profesional.

Cilado qoftë arsyeja, vendimi për të lënë shtëpinë rrallëherë është i lehtë. Megjithatë, për shumë njerëz, të jetuarit jashtë vendit përfaqëson fillimin e një jete të re. Por çfarë ndodh kur më në fund e arrin atë ëndërr… dhe ajo nuk ndihet ashtu siç e kishe imagjinuar?

Arrin në një vend të ri, fillon të ndërtosh një rutinë dhe gradualisht përshtatesh me rrethin tënd të ri. Megjithatë, diçka duket paksa e çuditshme. Mund ta gjesh veten duke bërë pyetje që nuk e kishe pritur se do t’i bëje:

“A nuk duhet të jem më i/e lumtur?”

“Pse ndihem sikur kam ngecur kur kjo është pikërisht ajo që kam dashur?”

“A jam mosmirënjohës/e, apo ka diçka që nuk shkon me mua?”

Këto mendime janë shumë më të zakonshme sesa shumë njerëz e kuptojnë.

Realiteti i fillimit nga e para

Kur imagjinojmë të jetojmë jashtë vendit, shpesh përqendrohemi në aspektet emocionuese: vende të reja, mundësi të reja, pavarësi dhe zhvillim personal. Ajo për të cilën flitet më pak është ana emocionale e një ndryshimi të tillë. Të shpërngulesh në një vend tjetër do të thotë të lësh pas shumë më tepër sesa vetëm një vend fizik. Do të thotë të largohesh nga sistemi yt i mbështetjes: familja, miqtë, rutinat e njohura, gjuha dhe mjediset ku dikur ndiheshe i/e kuptuar pa pasur nevojë të shpjegoheshe.

Përshtatja me një kulturë të re përfshin një proces psikologjik adaptimi. Gjatë kësaj kohe, njerëzit përpiqen të balancojnë dy nevoja të rëndësishme: ruajtjen e pjesëve të identitetit të tyre origjinal dhe integrimin gradual në një mjedis të ri social dhe kulturor. Edhe kur zhvendosja është e vullnetshme dhe emocionuese, ky proces mund të krijojë atë që njihet si stres akulturor, pra ngarkesën emocionale që shpesh shoqëron përshtatjen me një kulturë të re.

Papritur, shumë aspekte të jetës së përditshme bëhen të panjohura. Gjuha mund të ndihet ndryshe. Normat shoqërore mund të mos jenë të qarta. Detyra të thjeshta që dikur nuk kërkonin shumë mendim tani mund të kërkojnë më shumë përpjekje dhe vëmendje. Edhe kur je i rrethuar nga njerëz, prapë është e mundur të ndihesh vetëm. Shumë individë që jetojnë jashtë vendit përjetojnë atë që ndonjëherë përshkruhet si “vetmi në një dhomë të mbushur me njerëz.” Nuk je fizikisht i izoluar, por ndjenja e lidhjes emocionale mund të duket e largët.

Çfarë do të thotë në të vërtet vetmia

Vetmia shpesh keqkuptohet si thjeshtë gjendja e të qenit vetëm. Në realitet, ajo përshkruhet më mirë si diferenca midis lidhjeve sociale që dëshirojmë dhe atyre që aktualisht përjetojmë. Për këtë arsye, vetmia është shumë subjektive. Një person mund të jetojë vetëm dhe të ndihet i përmbushur, ndërsa një tjetër mund të jetë i rrethuar nga njerëz dhe prapë të ndihet thellësisht i shkëputur.

Studimet sugjerojnë se vetmia funksionon pothuajse si një sinjal biologjik, i ngjashëm me etjen ose urinë. Ajo sinjalizon se një nevojë e rëndësishme njerëzore, lidhja domethënëse me të tjerët, nuk po përmbushet plotësisht. Kur kjo ndjenjë zgjat për një kohë të gjatë, mund të fillojë të ndikojë në mënyrën se si njerëzit e perceptojnë mjedisin e tyre shoqëror. Individët mund të bëhen më të ndjeshëm ndaj refuzimit, të interpretojnë ndërveprimet në mënyrë më negative ose të ndihen sikur nuk përkasin plotësisht.

Për njerëzit që jetojnë jashtë vendit, këto përvoja mund të intensifikohen. Barrierat gjuhësore, dallimet kulturore, malli për shtëpinë dhe distanca nga rrjetet e njohura të mbështetjes mund ta ngadalësojnë procesin e ndërtimit të marrëdhënieve të reja. Ndërtimi i lidhjeve kërkon kohë dhe gjatë kësaj kohe vetmia mund të rritet në heshtje.

Kur arritja e ëndrrës nuk të bën të ndihesh siç e kishe imagjinuar

Shumë njerëz rriten duke besuar se arritja e një qëllimi të madh në jetë do të sjellë lumturi të qëndrueshme. Shpesh imagjinojmë se sapo të arrijmë diçka të rëndësishme, si të jetojmë jashtë vendit, të kemi punën që e ëndërrojmë ose të diplomojmë, gjithçka më në fund do të bjerë në vend.

Por realiteti shpesh është më kompleks.

Ekziston një prirje psikologjike që ndonjëherë quhet “gabimi i arritjes” (arrival fallacy). Ky është besimi se lumturia do të vijë automatikisht pasi të arrijmë një moment të caktuar në jetë. Në të vërtetë, kënaqësia që vjen nga arritjet shpesh është e përkohshme. Njerëzit përshtaten natyrshëm me rrethana të reja. Ajo që dikur dukej e jashtëzakonshme gradualisht bëhet normale.

Ndërsa emocionet fillestare zbehen, sfidat emocionale të jetës së përditshme në një mjedis të ri mund të bëhen më të dukshme. Kjo mund të krijojë konfuzion: Pse nuk ndihem ashtu siç e kisha menduar? Por ky reagim nuk është i pazakontë. Ai pasqyron procesin natyror të përshtatjes që shoqëron ndryshimet e mëdha në jetë.

Nuk je vetëm

Të jetosh jashtë vendit mund të jetë një nga përvojat më transformuese në jetën e një individi. Ajo na sfidon, na zgjeron perspektivat dhe na shtyn të rritemi në mënyra që nuk i kishim imagjinuar. Por rritja rrallëherë është e rehatshme. Të ndihesh i pasigurt, i vetmuar ose i shkëputur nuk do të thotë se ke marrë vendimin e gabuar. Thjesht do të thotë se je në mes të një tranzicioni.

Dhe tranzicionet kërkojnë kohë. Nëse po përjeton vetmi në një vend të ri, kujto këtë: shumë të tjerë po ecin në një rrugë të ngjashme. Ata po mësojnë, po përshtaten dhe po ndërtojnë ngadalë një jetë që dikur u dukej e panjohur. Me kalimin e kohës, gjuha bëhet më e lehtë. Rutinat bëhen të njohura. Qyteti fillon të duket më pak i huaj. Dhe një ditë, shpesh pa e kuptuar saktësisht kur, vendi që dikur dukej i huaj mund të fillojë të ndihet si shtëpi.

Nëse vetmia fillon të bëhet e rëndë ose vazhdon për një kohë të gjatë, kërkimi i ndihmës profesionale mund të jetë një hap i rëndësishëm. Të flasësh me një psikolog mund të ndihmojë në kuptimin e emocioneve, përpunimin e përvojës së migrimit dhe gjetjen e mënyrave më të shëndetshme për t’u përshtatur me këtë kapitull të ri të jetës.

Artikuj të fundit

App Store · Google Play (Së Shpejti)

Fillo tani rrugëtimin tënd me Mendje

Shkarko Mendje pa pagesë dhe lidhu me një Psikolog të licensuar brenda minutash. Hapi i parë është më i vështiri dhe ne jemi këtu për të të ndihmuar.

Shkarko nga App Store
Merr në Google Play Së Shpejti