Kalo te përmbajtja
Mendje
Marrëdhëniet në çift

Si ta kuptosh që po përjeton dhunë psikologjike?

5 min lexim

Kur flasim për dhunën, shpesh mendojmë vetëm për shenjat në trup. Por dhuna nuk është gjithmonë e dukshme, dhe shpeshherë nuk fillon nga ajo fizike.

Ndonjëherë ajo nuk lë asnjë shenjë në trup, por ndikon thellë në mendje, në sistemin nervor dhe në vetëvlerësim.

Shpesh duket si një ecje mbi vezë, si kërkim falje për diçka që nuk e ke bërë, dhe gradualisht si humbje e kontaktit me atë që realisht ndjen.

Sa e përhapur është dhuna ndaj grave?

Dhuna ndaj grave prek miliona gra në të gjithë botën. Në botë rreth 1 në 3 gra (31.6%, ose 840 milionë gra dhe vajza) kanë përjetuar dhunë fizike ose seksuale nga partneri, ose nga dikush tjetër, gjatë jetës së tyre (OBSH). Në Bashkimin Evropian 44% e grave kanë përjetuar dhunë psikologjike nga partneri gjatë jetës (EIGE).

Këto janë vetëm rastet që gratë kanë pasur mundësi dhe guxim t’i tregojnë. Sipas OBSH, numri real ka shumë gjasa të jetë edhe më i lartë, sepse shumë gra nuk flasin për këtë.

Si duket dhuna psikologjike

OBSH e përshkruan dhunën nga partneri jo vetëm si dhunë fizike, por edhe si abuzim psikologjik dhe sjellje kontrolluese.

Dhuna psikologjike shpesh fillon ngadalë dhe në fillim mund të mos duket si dhunë fare.

Disa shenja që shpesh përsëriten:

  • Ofendime, tallje ose nençmim, edhe para të tjerëve
  • Kontroll mbi telefonin, paratë, rrobat ose me kë takohesh
  • Largim i ngadaltë nga familja dhe shoqëria
  • Xhelozi që paraqitet si “dashuri”
  • Kërcënime, heshtje që ndëshkon ose të bërit të dyshosh në kujtesën dhe ndjenjat e tua
  • Ndjenja që duhet të kesh kujdes për çdo fjalë, që të mos “prishësh” humorin e tjetrit

Sipas Konventës së Stambollit, dhuna psikologjike është sjellje e qëllimshme që dëmton rëndë integritetin psikologjik të një personi, përmes detyrimit ose kërcënimeve (EIGE).

Si ndikon dhuna tek mendja dhe trupi

Kur i kalon ditët duke pasur frikë nga reagimi i tjetrit, ose duke i heshtur nevojat e tua vetëm për të shmangur konfliktin, mendja kalon nga jetesa në mbijetesë. Trupi qëndron vazhdimisht në gatishmëri, sikur rreziku mund të vijë në çdo moment.

Me kohë, kjo mund të sjellë lodhje të vazhdueshme, vështirësi me gjumin, shqetësime dhe frikë të përditshme, humor të ulët dhe një zë të brendshëm që të thotë se problemi je ti. OBSH thekson se dhuna nga partneri ka pasoja serioze edhe për shëndetin mendor, jo vetëm për atë fizik (OBSH).

Gratë që kanë kaluar këto përvoja shpesh thonë se më e rënda nuk ishte një ngjarje e vetme, por kërcënimi i vazhdueshëm dhe humbja e ngadaltë e vetes.

Provo të ndihmosh vetën kështu:

Kur ndihesh e bllokuar në të njëjtin cikël frike ose fillon të dyshosh te vetja, provo të ndihmosh veten kështu:

  1. Emërto dinamikën. Thuaji vetes në heshtje çka po ndodh, për shembull: “Ky është kontroll, jo dashuri.” Kur i vë emër asaj që po ndodh, është më e lehtë të dalësh nga konfuzioni.
  2. Qetëso trupin para se të reagosh. Ndiji këmbët në tokë, lëshoji krahët dhe merr frymë ngadalë. Një trup më i qetë të ndihmon të mendosh më qartë.
  3. Mbaj një pikë mbështetjeje. Qëndro e lidhur me një person të besuar ose me një profesionistë që të dëgjon dhe të vlerëson vërtet. Izolimi e bën dhunën më të fortë, lidhja me të tjerët të kthen forcën.

Këto kujtesa nuk e ndalin dhunën, por të ndihmojnë ta shohësh situatën më qartë dhe të mos e humbasësh veten.

Ku të gjesh ndihmë

Nëse je në rrezik të menjëhershëm, thirr menjëherë 112. Për këshilla dhe mbështetje si grua që përjeton dhunë, këto linja janë falas:

Kosovë: 0800 11 112 , Mbrojtësit e viktimave, falas, 24/7. Policia: 192

Shqipëri: 116 117 , Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza, 24/7

Gjermani: 116 016 , Hilfetelefon “Gewalt gegen Frauen”, anonim, falas, 24/7, në shumë gjuhë

Ku do që të jesh, nuk je vetëm dhe nuk ke faj për atë që po ndodh.

Paqja e vërtetë nuk të kërkon të zvogëlohesh

Paqja e vërtetë kurrë nuk kërkon që të zvogëlohesh, të heshtesh ose ta humbasësh veten. Këtë 25 Nëntor, nderoje mendjen tënde, mbroji kufijtë e tu dhe kujtoji vetes se ti duhet të ndihesh e sigurt.

Nëse ndjenjat janë të forta ose zgjasin gjatë, fol me një profesionist. Nëse dëshiron të flasësh online për sfidat e përditshme, përfshirë dhunën psikologjike apo fizike, lidhu me një psikolog në Mendje.

Mendje është platformë teknologjike. Seancat janë këshillim psikologjik nga psikologë të pavarur, jo psikoterapi apo trajtim mjekësor. Mendje nuk është shërbim urgjence, në rrezik telefono 112.

Burimet

Nëse ndjenjat janë të forta ose zgjasin gjatë, fol me mjekun tënd. Për të folur me dikë në shqip për sfidat e përditshme, mund të gjesh një psikolog në Mendje.

Artikuj të fundit

App Store · Google Play

Fillo tani rrugëtimin tënd me Mendje

Shkarko Aplikacionin Mendje dhe lidhu me një Psikolog të licensuar brenda minutash. Hapi i parë është më i rëndësishmi, dhe ne të ndihmojmë ta gjesh psikologun e duhur.

Seancat janë këshillim psikologjik nga psikologë të pavarur, jo psikoterapi apo trajtim mjekësor.