Kalo te përmbajtja
Mendje
Humori & Emocionet

Ka shumë arsye për të jetuar

3 min lexim

Edhe sot, ka arsye për të qëndruar

Edhe ti, pasi lexove këtë titull, ndoshta nënqeshe dhe me ironi the: “Vërtet?”

Po!!

Sado e vështirë të ndihet tani çdo gjë që të rrethon, sado e rëndë të jetë ajo që po kalon, ka ende arsye për të qenë këtu. Për të jetuar. Për të parë se çfarë mund të sjellë dita e nesërme. Për ta bërë pak nga pak, çdo ditë më të bukur.

E di. Je lodhur nga të gjithë ata që të thonë: “Të kuptoj, por…”

Ndoshta askush nuk mund ta dijë plotësisht çfarë ndodh brenda teje. 

Vetëm ti e di çfarë mendon kur e shtrin kokën në jastëk. Vetëm ti e di se si ndihesh në çdo frymëmarrje, sa shumë peshon ajo që mban brenda dhe sa e lodhshme është të vazhdosh edhe kur nuk ke më fuqi.

Por mos u mërzit me ata që përpiqen të të thonë se të kuptojnë.

Ndoshta nuk dinë çfarë të thonë tjetër.

Ndoshta nuk dinë si ta lehtësojnë dhimbjen tënde.

Por shpesh, pas atyre fjalëve të papërsosura, fshihet një dëshirë e sinqertë për të të ndihmuar.

Sepse ti mund të qeshësh, mund të flasësh, mund të vazhdosh ditën tënde… dhe askush të mos e kuptojë se brenda teje, në heshtje, po ndahesh në disa copa.

Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye ke nevojë për dikë që të mos përpiqet ta rregullojë menjëherë dhimbjen tënde, por thjesht të qëndrojë aty.

Unë jam këtu. Ne jemi këtu.

Për të të dëgjuar.
Për të të pranuar pa gjykim.
Për të kuptuar së bashku çfarë të mundon.
Për të kërkuar bashkë një rrugëdalje atëherë kur ti nuk arrin ta shohësh.

Më beso: ajo që po ndjen tani nuk është gjithçka që të përfaqëson.

Ti je shumë më tepër se mendimet që të vijnë në ditët më të vështira.

Edhe ajo që sot duket e pamundur mund të duket ndryshe nesër. Prandaj…

Merr frymë thellë.
Ndjeje diellin që të ngroh fytyrën.
Ndjeje erën që të përkëdhel flokët.
Dëgjo zogjtë që cicërojnë…

Dhe nëse sot është shumë e vështirë, mos e përballo vetëm.

Fol me dikë, me një njeri të besuar, me një profesionist, kërko ndihmë.

Qëndro!

Qëndro derisa të vijë një ditë kur do të mundesh sërish të shohësh atë që sot nuk arrin ta shohësh. Sepse ka shumë arsye për të jetuar.

Edhe pse ndoshta tani nuk mendon kështu, jeta jote vlen më shumë se çdo dhimbje që po përjeton sot. Dhe ndoshta arsyeja që të duhet më shumë sot është thjesht kjo:

Të qëndrosh për të zbuluar ato që nuk i ke zbuluar ende.

Nëse ndjenjat janë të forta ose zgjasin gjatë, fol me mjekun tënd. Për të folur me dikë në shqip për sfidat e përditshme, mund të gjesh një psikolog në Mendje.

Artikuj të fundit

App Store · Google Play

Fillo tani rrugëtimin tënd me Mendje

Shkarko Aplikacionin Mendje dhe lidhu me një Psikolog të licensuar brenda minutash. Hapi i parë është më i rëndësishmi, dhe ne të ndihmojmë ta gjesh psikologun e duhur.

Seancat janë këshillim psikologjik nga psikologë të pavarur, jo psikoterapi apo trajtim mjekësor.