Stresi Financiar dhe Shëndeti Mendor gjatë Festave

Portrait of candid authentic dreamer boy teenager in sadness depressing emotion at home Xmas

Festat shpesh përshkruhen si një kohë gëzimi, festimesh dhe bashkimi, por për shumë prej nesh, ato mund të sjellin një gamë ndjenjash dhe mendimesh të vështira.

Sipas një studimi të fundit, 64% e personave me sëmundje mendore raportojnë se festat e përkeqësojnë gjendjen e tyre. “Për shumë njerëz, sezoni i festave nuk është gjithmonë koha më e mrekullueshme e vitit,” tha drejtori mjekësor i NAMI, Ken Duckworth. Për ata që përballen me sfida të shëndetit mendor, festat mund të jenë një kohë vetmie ose stresi, shpesh e mbushur me ankth dhe depresion. Stresi mund të përkeqësojë simptomat si halucinacionet në skizofreni ose episodet në çrregullimin bipolar.

Lexo faktorët më poshtë të cilë mund ta bëjnë më sfidues sezonin e festave të fundvitit:

Stresi financiar: Shëndeti ynë mendor mund të ndikohet nga problemet financiare në mënyra të ndryshme, për shembull: stres, shqetësim ose ankth për shkak të mungesës së parave (ankthi financiar).jë humor i ulët ose ndjenja depresive për shkak të gjendjes financiare apo vetëvlerësim i ulët ose ndjenja faji apo turpi nëse nuk fitojmë mjaftueshëm ose jemi të papunë është poashtu shqetësuese. Nga blerja e dhuratave te organizimi i eventeve, shpenzimet e festave mund të rëndojnë buxhetin. Por, mbani mend se momentet më domethënëse në jetën tonë shpesh bazohen në përvoja, jo në gjëra materiale. Kur kthehemi pas në kohë, kujtojmë ngjarjet dhe ndjenjat që kemi pëjetuar, jo gjërat që na kanë dhënë. . 

Dinamika familjare: Takimet me familjen mund të sjellin gëzim, por edhe të rikthejnë tensione ose konflikte të së kaluarës. Sipas Psychology Today konfliktet familjare mund të shtohen gjatë festave, duke u përqendruar në tre arsye kryesore:

Pritshmëritë joreale: Festat shpesh lidhen me shpresa të mëdha për mbledhje harmonike, por këto pritshmëri mund të shkaktojnë zhgënjim kur tensionet familjare dalin në pah. Shumë njerëz presin që dinamika familjare të jetë e përkryer, por problemet e pazgjidhura mund të rikthehen.

Intensiteti emocional: Festat janë të ngarkuara emocionalisht, veçanërisht kur përfshihen anëtarë të familjes që nuk takohen shpesh. Kujtimet e së shkuarës, perspektivat e ndryshme mbi traditat, ose ndjenjat e pakënaqësisë për vendime të ndryshme mund të çojnë në mosmarrëveshje.

Rrethanat stresuese: Presioni financiar, sfidat e udhëtimit dhe përgatitjet për mbledhjet familjare shtojnë stresin, duke i bërë njerëzit më të ndjeshëm dhe më pak të durueshëm ndaj konflikteve.

Për të zvogëluar konfliktet gjatë festave, përdorni disa strategji praktike, si vendosja e kufijve, përgatitja për t’iu përgjigjur temave provokuese, ushtrimi i empatisë dhe krijimi i planeve për të shmangur situatat e tensionuara. Po ashtu, theksohet rëndësia e kujdesit për veten, mirëkuptimit për sjelljet e të tjerëve dhe përqendrimit në përvoja pozitive të përbashkëta për të shmangur debatet e panevojshme.

Vetmia: Vetmia gjatë festave është një ndjenjë e zakonshme për shumë njerëz, veçanërisht kur periudha e festave është e lidhur me prani sociale, festa dhe aktivitete familjare. Për individët që jetojnë vetëm ose kanë humbur të dashurit, festat mund të theksojnë ndjenjën e humbjes dhe izolimit. Ajo mund të jetë veçanërisht e vështirë për ata që janë të larguar nga familja, që kalojnë kohë të vetmuar ose që po përballen me sfida emocionale të tjera. Megjithatë, duke u angazhuar në aktivitete sociale, duke krijuar rituale të reja dhe duke kërkuar ndihmë kur është e nevojshme, mund të bëhet më e menaxhueshme.

Çrregullimi Afektiv Sezonal (SAD): Çrregullimi Afektiv Sezonal (SAD) është një gjendje që shpesh ndikon në mirëqenien emocionale gjatë muajve të dimrit, veçanërisht gjatë periudhës së festave. Kjo gjendje lidhet me mungesën e dritës së diellit, që ndikon në nivelet e melatoninës dhe serotoninës në tru, duke shkaktuar ndryshime në humor dhe energji. Për ata që janë të prekshëm, festat mund të theksojnë këto simptoma, duke krijuar një kontrast të dhimbshëm midis atmosferës festive dhe ndjenjave të tyre të trishtimit. Atmosfera e festave shpesh sjell presion për t’u ndjerë i lumtur dhe i përfshirë në aktivitete sociale. Për personat që përjetojnë SAD, kjo mund të ndjehet si një barrë shtesë emocionale. Festat shpesh shoqërohen me kujtime të ngrohta dhe momente të gëzuara, të cilat për ata që ndihen të trishtuar, mund të shkaktojnë ndjenja të thelluara të humbjes ose të pavlefshmërisë. Festat mund të jenë sfiduese për ata që përjetojnë SAD, por me ndërhyrje dhe përkujdesje të duhur, është e mundur të përmirësohet gjendja dhe të shijohet kjo periudhë e vitit me më pak stres emocional.

Ja disa këshilla për të përmirësuar mirëqenien mendore gjatë festave:

  • Vendosni pritshmëri reale: Shpesh, pritshmëritë e larta mund të krijojnë zhgënjim. Përqendrohuni në momente që kanë më shumë rëndësi dhe mos e mbingarkoni veten me angazhime që mund të jenë stresuese. Mësoni të thoni “jo” në raste që nuk ju përshtaten.
  • Kujdesuni për veten: Mos harroni rëndësinë e aktiviteteve që ju japin kënaqësi dhe qetësi. Leximi, një shëtitje ose disa minuta për frymëmarrje të ndërgjegjshme mund të ndihmojnë për të ruajtur ekuilibrin emocional. Kujdesi për veten është domosdoshmëri, jo luks.
  • Vendosni kufij të shëndetshëm: Festat mund të sjellin angazhime të shumta. Refuzimi i ftesave apo aktiviteteve që ju shkaktojnë lodhje emocionale është i pranueshëm. Respektimi i kufijve tuaj ndihmon për të ruajtur mirëqenien.
  • Prioritizoni gjumin dhe pushimin: Gjumi i mirë është thelbësor për shëndetin tuaj. Përpiquni të ruani një rutinë gjumi dhe të shmangni faktorë që prishin cilësinë e tij, si alkooli ose kafeina e tepërt.
  • Luftoni vetminë: Nëse ndiheni të izoluar, kërkoni të lidheni me miq, anëtarë të komunitetit ose merrni pjesë në aktivitete vullnetare. Këto veprime mund të sjellin ndjenjën e përkatësisë dhe të lehtësojnë vetminë.
  • Kultivoni mirënjohje: Shprehja e mirënjohjes mund t’ju ndihmojë të përqendroheni te anët pozitive të jetës, edhe kur sfidat janë të pranishme. Mbajtja e një ditari mirënjohjeje mund të jetë një praktikë e thjeshtë, por e fuqishme.
  • Kërkoni ndihmë profesionale: Nëse stresi apo ankthi bëhen të papërballueshëm, mos hezitoni të kërkoni mbështetje nga një profesionist i shëndetit mendor. Terapia mund të ndihmojë me strategji konkrete për t’u përballur me sfidat gjatë kësaj periudhe.

Duke ndjekur këto hapa, mund ta bëni sezonin e festave më të menaxhueshëm dhe emocionalisht më të qëndrueshëm.

 

Picture of Blerona Iljazi
Blerona Iljazi

Related Posts