Kur ndiheni të stresuar dhe të mbingarkuar nga kërkesat e punës, marrja e një pushimi – duke përdorur ditët personale apo duke marrë pushime – mund t’ju ndihmojë të rifitoni energjinë dhe të shmangni djegien profesionale (burnout). Megjithatë, nëse përballeni me një problem të vazhdueshëm të shëndetit mendor, si depresioni ose ankthi, ju nevojitet më shumë sesa disa ditë pushim.
Kujdesi për shëndetin mendor në vendin e punës nuk ka të bëjë vetëm me përballimin e problemeve të menjëhershme të shëndetit mendor, por edhe me promovimin e mirëqenies. Edhe nëse nuk përballeni aktualisht me ndonjë sfidë mendore, ndërmarrja e hapave për të kujdesur për shëndetin tuaj emocional mund t’ju ndihmojë të ndërtoni reziliencë, të përmirësoni performancën tuaj në punë dhe të përballeni më mirë me pasigurinë dhe sfidat në të ardhmen. Këto këshilla mund t’ju ndihmojnë:
Shkëputuni për pak minuta nga puna: Qoftë duke punuar në zyrë apo nga distanca, është e rëndësishme të krijoni një ekuilibër të shëndetshëm midis punës dhe jetës personale. Kjo nënkupton të bëni pushime të rregullta gjatë ditës dhe të fikni ekranet pas përfundimit të orarit të punës. Përkushtojuni miqve dhe familjes, relaksohuni, dhe shijoni kohën tuaj.
Praktikoni teknika relaksimi: Relaksimi kërkon më shumë sesa thjesht të shikoni televizor. Për të reduktuar efektet dëmtuese të stresit dhe për të mbrojtur shëndetin tuaj mendor, mund të praktikoni teknika si meditimi, frymëmarrja e thellë, ushtrimet ritmike ose joga.
Kujdesuni për veten: Gjumi cilësor, një dietë e shëndetshme dhe ushtrimet e rregullta janë thelbësore për shëndetin tuaj mendor, në punë dhe jashtë saj. Përpiquni të kontrolloni këto aspekte të jetës suaj dhe investoni në kujdesin ndaj vetes. Nëse është e nevojshme, këshillohuni me një terapist për të ndërtuar strategji për vetëkujdesje.
Gjithëpërfshihuni në punën tuaj: Edhe nëse nuk e doni punën tuaj, mund të gjeni mënyra për të gjetur kuptim dhe qëllim në atë që bëni. Fokusohuni në mënyrën se si puna juaj ndihmon të tjerët, si produkti apo shërbimi që ofroni, ose përforconi marrëdhëniet me kolegët.
Krijoni lidhje shoqërore dhe bashkëpunoni: Marrëdhëniet mbështetëse me kolegët, bashkëpunimi si ekip dhe kalimi i kohës së këndshme së bashku mund të lehtësojnë stresin dhe të përmirësojnë humorin në punë. Nëse nuk jeni afër me kolegët, përpiquni të bashkëpunoni më shumë dhe të jeni më social gjatë pushimeve apo jashtë punës.
Ndërtoni reziliencë: Sa më rezilient të jeni, aq më mirë mund të përballoni stresin, ankthin dhe sfidat. Resilienca kërkon përpjekje për ta ndërtuar dhe për ta mbajtur me kalimin e kohës, dhe është një aftësi e dobishme si në karrierë, ashtu edhe në jetën personale.
Promovimi i mirëqenies mendore në vendin e punës është një domosdoshmëri. Duke normalizuar diskutimet, duke adresuar stresorët dhe duke ofruar mbështetje, organizatat mund të krijojnë vende pune ku punonjësit lulëzojnë dhe kontribuojnë në suksesin e përbashkët.
Autore: Blerona Iljazi