Stresorët në vendin e punës

Male programmer stressed out at work

Stresi në punë është një reagim fizik dhe emocional ndaj kërkesave ose sfidave në vendin e punës. Ai mund të shkaktohet nga ngarkesa e lartë e punës, afatet e shkurtra, komunikimi i dobët, ose mungesa e mbështetjes. Nëse nuk menaxhohet, stresi i vazhdueshëm në punë mund të ndikojë negativisht në shëndetin fizik, mendor dhe produktivitetin, duke çuar në lodhje emocionale dhe  burnout. Strategjitë si menaxhimi i kohës, vendosja e kufijve dhe praktikat relaksuese mund të ndihmojnë në uljen e stresit dhe përmirësimin e mirëqenies në punë. Më poshtë kemi listuar disa nga faktorët që ndikojnë në mbingarkesën apo stresin në punë: 

  • Orët e gjata dhe ngarkesa e pamenaxhueshme e punës.
  • Ambienti toksik që nxit ngacmimin, bullizimin apo edhe abuzimin.
  • Mungesa e trajnimeve ose udhëzimeve për rolin që rolin që pritet të përmbushni.
  • Komunikimi i paqëartë ose i mangët nga menaxhmenti për detyra, qellimet ose marrjen e vendimeve.
  • Mungesa e mbështetjes, mungesa e pajisjeve ose burimeve të tjera të punës, ose praktika të pasigurta të punës. Punësimi nga shtëpia pa një ndarje të qartë të punës dhe jetës personale.

Shenja dhe simptoma të problemeve të shëndetit mendor në punë

Të gjithë kemi ditë të vështira në punë herë pas here, ditë kur asgjë nuk duket se shkon siç duhet. Mund të hasni vështirësi në përqendrim, të ndiheni të stresuar, të irrituar, apo të keni mungesë energjie dhe motivimi për të përfunduar dhe detyrat më të thjeshta. Por nëse kjo gjendje vazhdon ditë pas dite, mund të jetë një sinjal paralajmërues se diçka nuk është në rregull.

Shumë probleme të shëndetit mendor mund të shfaqen ngadalë. Ju mund të mësoheni aq shumë me ndjesinë e stresit, ankthit dhe humorit të keq në punë sa të fillojë të duket “normale”. Por injorimi i shenjave të hershme të një problemi nuk do ta zhdukë atë; përkundrazi, do të përkeqësohet me kalimin e kohës, duke ju bërë të ndjeshëm ndaj sëmundjeve dhe problemeve të tjera shëndetësore, duke shkaktuar djegie profesionale (burnout) dhe duke dëmtuar performancën tuaj në punë, marrëdhëniet dhe jetën në familje.

Ndërsa simptomat e problemeve të shëndetit mendor ndryshojnë sipas gjendjes dhe personit që i përjeton, është e rëndësishme të jeni të vetëdijshëm për çdo ndryshim në mënyrën tuaj të të menduarit, ndjenjave dhe sjelljeve. Nëse identifikoni disa nga simptomat e mëposhtme tek vetja (ose te një koleg ose punonjës), kjo mund të jetë një shenjë se është koha të kërkoni ndihmë:

  • Rënie në performancën tuaj në punë: Vështirësi në përmbushjen e detyrave të përditshme në punë (po ashtu edhe në jetën personale apo shoqërore).
  • Vështirësi në përqendrim dhe mendim: Probleme me fokusimin në detyra, kujtesë, apo ndryshime në mënyrën e të folurit.
  • Ndryshime në oreks ose gjum: Vështirësi me pagjumësinë, fjetje të tepërt, ndryshime të papritura në sa dhe çfarë hani, ose mbështetje gjithnjë e më shumë në droga dhe alkool për të përballuar situatën.
  • Ndryshime në humor: Ndiheni të pashpresë, të pafuqishëm, të shqetësuar, përjetoni ndryshime të papritura të humorit ose madje mendime vetëvrasëse.
  • Humbje e interesit për aktivitete: Humbisni interesin për aspekte të punës që dikur i gëzonit, hiqni dorë nga hobet që keni dashur më parë ose tërhiqeni nga marrëdhëniet shoqërore. Kjo mund të shoqërohet me apati të theksuar.
  • Frikë ose nervozizëm: Ndiheni tepër të dyshimtë ndaj të tjerëve ose të frikësuar në situata të caktuara.
  • Rritje e ndjeshmërisë: Ndiheni më të ndjeshëm ndaj dritave, zhurmave ose përpiqeni të shmangni situata që janë të mbingarkuara.
  • Sjellje të pazakonta: Ndiheni të shkëputur nga rrethina, tregoni sjellje të pazakonta ose të pakontrolluara, ose përjetoni halucinacione.
  • Dhimbje të pashpjegueshme: Të tilla si dhimbje koke, shqetësime në stomak ose dhimbje muskulore.

Shëndeti mendor në punë është shumë i rëndësishëm, prandaj ne ju rekomandojmë që të përkujdeseni sa më shumë për vetën që të parandaloni rritjen e stresit i cili është shumë i dëmshëm për shëndetin dhe mirëqenjen tonë në përgjithësi.

Autore: Blerona Iljazi

Picture of Blerona Iljazi
Blerona Iljazi

Related Posts